English

Trafikimi I Personave- Dash: Qeveria Shqiptare Po Përmirëson Kapacitetet Për Riintegrimin E Viktimave

TIRANË, 14 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore, se "Qeveria shqiptare po përmirëson kapacitetin për të identifikuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit". Zyra e shtypit pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë bëri sot publike raportin e përvitshëm për trafikimin e qenieve njerëzore, i cili e rendit Shqipërinë në grupin e 2-të. Në raportin vjetor, DASH vëren se "Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë". "Shqipëria është një vend burimi për burra, gra, dhe fëmijë që i nënshtrohet trafikimit të personave, në mënyrë specifike prostitucionit të detyruar dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar të fëmijëve. Viktimat shqiptare i nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit të seksit brenda Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Europës Perëndimore", thuhet në raport. Raporti i DASH vë në dukje se Shqipëria ndoqi penalisht me sukses disa kundravajtës të trafikimit të seksit, duke çuar në imponimin e ndëshkimeve domethënëse gjatë periudhës së raportimit. "Në mars 2009, qeveria miratoi një ndryshim në ligjin mbi Ndihmën Sociale, i cili do t'u ofrojë viktimave të trafikimit të njëjtat përfitime sociale si dhe grupeve të tjera në rrezik në Shqipëri dhe financim të qeverisë për strehat. Qeveria vazhdon të gjurmojë dhe analizojë tendencat e trafikimit me anë të një baze të dhënash kombëtare", vijon raporti. Zyrtarët e qeverisë kanë rritur vëmendjen publike ndaj trafikimit në Shqipëri, thuhet në këtët raport, i cili thekson gjithashtu se "ka pasur shqetësime serioze mbi mbrojtjen e viktimave që dëshmonin kundër trafikuesve të tyre". "Qeveria nuk ndoqi penalisht në mënyrë energjike kundravajtësit e trafikimit të punës dhe nuk trajtoi sa duhet bashkëfajësinë e lidhur me trafikimin. Mungesa e vullnetit politik dhe bashkëpunimit në disa agjenci qeveritare kyçe pengoi aftësinë e gjithanshme të qeverisë për të ndjekur penalisht në mënyrë energjike të gjitha format e trafikimit", thuhet në raport. DASH i rekomandon Shqipërisë që të sigurojë identifikimin proaktiv të personave që shfrytëzohen brenda sektorëve të tregtisë dhe punës në Shqipëri, si dhe të intensifikojë partneritetet me OJQ-të për të rritur zbulimin e të gjitha viktimave të trafikimit. "Shqipëria duhet të përmirësojë sigurinë e viktimave që bashkëpunojnë si dëshmitarë në gjykatë, duke zbatuar në mënyrë më energjike ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Duhet gjithashtu të ngrihet një fond i përgjithshëm për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave duke përdorur asetet e kapura nga Gjykata e Krimeve të Rënda prej kundravajtësve të trafikimit", vijon raporti. Gjithashtu, autoriteteve shqiptare u rekomandohet të ndjekin penalisht në mënyrë agresive kundravajtësit trafikues të punës dhe zyrtarët ligjzbatues që janë bashkëfajtorë në trafikimin njerëzor. Për sa i përket ndjekjes penale, raporti konstatoi se "Qeveria e Shqipërisë vazhdoi përpjekjet për zbatimin e ligjit kundër trafikimit gjatë periudhës së raportimit". "Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda raportuan hetimin e 35 trafikuesve të dyshuar në vitin 2009. Qeveria ndoqi penalisht 31 kundravajtës të dyshuar për trafikim në vitin 2009, duke dënuar 11 prej tyre. Kjo është në kontrast me 26 kundravajtës trafikimi të dënuar në vitin 2008 dhe shtatë në vitin 2007", vijon raporti. Në vitin 2009, sipas DASH "dënimet e imponuara për kundravajtësit e dënuar të trafikimit varionin nga 5 deri në 16 vjet burgim". Raporti i DASH konstatoi se "gjatë vitit 2009, Gjykata e Krimeve të Rënda konfiskoi me sukses asete dhe prona të trafikantëve me vlerë 268,115 dollarë". Lidhur me mbrojtjen e viktimave, raporti i DASH theksoi se "janë identifikuar 94 viktima të trafikimit gjatë vitit 2009, krahasuar me 108 në vitin 2008". "Streha e vetme e qeverisë ndihmoi 24 viktima dhe OJQ-të ndihmuan 70 të tilla gjatë periudhës së raportimit. Në vitin 2009, qeveria ofroi trajnim profesional falas për 38 viktima, u ofroi 11 viktimave hua mikrokredie për të filluar biznese private dhe integroi pesë viktima në shkollë", thuhet në këtë raport. Raporti vëren se "Qeveria shqiptare vazhdoi partneritetet me organizatat ndërkombëtare për të zbatuar veprimtari të parandalimit të trafikimit që synonin informimin e publikut dhe grupeve të prekshme mbi trafikimin". /a.gj/
KOMENTE