English

Bërthamore - Australia Sanksione Shtesë Kundër Iranit

SIDNEI, 15 qershor /ATSH-ANSA/ - Qeveria laburiste australiane shpalli sot sanksionet e saj kundër Iranit, veç atyre që u vendosën javën e kaluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, në përpjekje për të kontrolluar programin bërthamor të regjimit iranian. Ministri i Jashtëm australian, Stephen Smith, shpjegoi se sanksionet do të aplikohen kundër një banke, një linje lundrimi dhe kundër një kompanie ndërtuese. "Këto sanksione e rendisin Australinë të parën në përpjekjet për ta larguar Iranin nga rruga drejt përplasjes me komunitetin ndërkombëtar", deklaroi ministri. Sanksionet australiane do të aplikohen për Bankën Mellat, që sipas OKB-së ka ndihmuar në transaksionet e enteve bërthamore dhe raketore iraniane, kundër "Iran Shipping Line", që ka transportuar materiale për programet bërthamore, dhe për Rostam Qasemi, kreu i kompanisë ndërtimore "Khatem ol-Anbiya Construction Organization". "Australia i bën thirrje Iranit të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe sa më parë të gjejë një zgjidhje për shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar për programin bërthamor", deklaroi Smith. /e.v/
KOMENTE