English

Qeveria Shqiptare Përshëndet Vendimin E Këshillit Të Ministrave Të Jashtëm Të Be Për Liberalizimin E Vizave

TIRANË, 15 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Qeveria shqiptare përshëndeti sot vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Qeverisë së Shqipërisë, njëkohësisht Ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, garantoi se "Qeveria shqiptare do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit për të finalizuar aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve për lëvizjen e lirë në Evropë". "Qeveria shqiptare përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, marrë dje në Luksemburg, ku u rikonfirmua vullneti për mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Ne sigurojmë forumet e larta vendimmarrëse në BE, se do të përmbushim me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit, për të finalizuar sa më parë, aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve: lëvizjen e lirë në Evropë", tha Bregu. Në deklaratën përfundimtare të miratuar dje në Luksemburg nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, vlerësohet dhe nxitet procesi i reformave në vendet e Ballkanit. Në këtë drejtim, znj. Bregu tha se "kjo deklaratë shpreh edhe një herë vullnetin e Unionit për integrimin e këtij rajoni në BE". "Qeveria shqiptare vlerëson gjithashtu qëndrimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për zgjidhje të ngërçit politik në Shqipëri në bazë të parimeve kushtetuese, duke garantuar se kuadri ligjor dhe institucional i vendit mundëson transparencë të plotë të çdo dokumenti apo çështjeje në diskutim", tha Bregu. Në unanimitet të plotë, Ministrat e Jashtëm të BE-së deklaruan dje se Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian do të marrin menjëherë vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo Komisioni të sigurojë se të gjitha kriteret e vendosura janë plotësuar./s.s./
KOMENTE