English

Arrestohen Kater Persona, Falsifikonin Diploma Të Fakultetit Të Drejtësisë

-Gjatë operacionit të koduar "Juristi", organizuar nga Policia e Tiranës dhe Prokuroria- TIRANË, 16 Qershor/ATSH/.- Katër persona, të dyshuar për falsifikim dokumentesh, kryesisht diploma të Fakultetit të Drejtësisë, janë arrestuar sot në një operacion të policisë së Tiranës dhe prokurorisë së rrethit. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur sot se shtetasit Medat Kasa, 54 vjeç, Anai Muça, 46 vjeç, Fadil Gurri, 43 vjeç, banues ne Domje Tirane, Adriatik Koçi, 45 vjeç, me profesion përkthyes, janë arrestuar mesditën e sotme në kuadër të operacionit të koduar "Juristi", pas nje hetimi disa mujor të policisë dhe Njësisë "Taks Force" në Prokurorinë e Tiranës. Policia tha se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri- tjetrin dhe persona të tjerë, siguronin diploma të Fakultetit të Drejtësisë kundrejt përfitimit të shumës prej 7000 euro për një të tillë. Ata e kryenin këtë aktivitetet duke depozituar paratë paraprakisht në filiale të ndryshme të bankave në Tiranë, si garanci për përgatitjen dhe dorëzimin e diplomës, afat i cili zgjaste rreth 2 muaj. Me cilësinë e provës materiale, të arrestuarëve iu sekuestruan dokumente si diplomë e Fakultetit të Drejtësisë e plotësuar, listë notash e plotësuar, çertifikata, fotografi, dokumentacion pronash, vula si dhe shuma prej 7000 eurosh. Policia bëri të ditur se vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar. Çështja ndaj tyre i kaloi për hetime të mëtejshme prokurorisë për veprat penale "ushtrim i ndikimit te paligjshme ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "falsifikim dokumentesh", etj. /a.m/s.s./
KOMENTE