English

Berisha: Be I Jep Vlerësimet Maksimale Ekonomisë Shqiptare

- Kryeministri Berisha përshëndet raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Ekonomisë dhe Financave në Bashkimin Europian për vendet e rajonit - TIRANË, 16 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të Çështjeve të Ekonomisë dhe Financave në Bashkimin Europian për vendet e rajonit, që i jep vlerësimet maksimale ekonomisë shqiptare. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë citoi këtë raport ku vlerësohet se "në bazë të rritjes ekonomike në Shqipëri kanë qëndruar investimet e mëdha". "Me arritjet ekonomike, Shqipëria mund të renditet afër performancës së 10-çes më të mirë të BE-së", tha Kryeministri Berisha. "Në raportin e BE dallohen vlerësimet pozitive për ekonominë e Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë ky raport është azhornuar me të dhëna të viteve të fundit, por ka të dhëna edhe të vitit 2007. Raporti thotë se në Shqipëri, kontributi i industrisë dhe i ndërtimit ishte 40 për qind, kundrejt vetëm 20 për qind që ishte në vendin tjetër", tha Berisha. Vetëm në vitin 2009, sipas këtij raporti, "Shqipëria ia doli së bashku me Serbinë që të tërheqë investime 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm". Kryeministri theksoi se "raporti i BE-së vëren se llogaritë financiare në Shqipëri u dyfishuan në karahasim me 1 vit më parë". "Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten vende tërheqëse për investimet e huaja. Të gjitha vendet me përjashtim të Shqipërisë humbën nga rezervat e tyre valutore dhe vetëm vendi ynë kishte politika monetare fleksibël. Ne kontrolluam rritjen e kredisë me rregullime të politikave të interesit dhe kërkesave për depozita, çka përbën një meritë të padiskutueshme të Bankës Qendrore të vendit", citoi kryeministri Berisha raportin e BE-së. Raporti i BE-së, sipas Kreut të Qeverisë vlerëson se "të ardhurat buxhetore u rritën në mënyrë të ndjeshme në Shqipëri dhe Mal të Zi". "Në rajon vetëm Shqipëria pati vlerë kursimesh të brendshme njëlloj me vendet e zhvilluara. E vlerësuar në raport me lirinë ekonomike, Shqipëria renditet e para e ndjekur nga Turqia dhe Maqedonia që cilësohen si ekonomi moderueshëm të lira, ndërsa vendet e tjera në rajon verësohen më së shumti si jo të lira", citoi Berisha. Duke i konsideruar këto arritje si frutet e një kursi të thellë reformash, Kreu i Qeverisë u shpreh se "raporti i BE-së i jep përgjigjen më të shkëlqyer atyre që ndjellin nga mëngjesi deri në darkë, krizën dhe zinë". "Nuk mund të mohohen reflektimet dhe pasqyrimet e krizës globale, por çdo ditë e më shumë në arenën ekonomike Shqipëria merret si referencë", tha Kryeministri Berisha. Gjithashtu, ai shprehu bindjen se "taksat e ulëta janë një nga rrugët më kryesore të nxitjes së zhvillimit ekonomik"./n.m/
KOMENTE