English

Berisha: Shqipëria, me performancën ekonomike si 10-shja më e mirë e BE

Tiranë, 16 Qershor, NOA – Shqipëria ka arritur performancën ekonomike e 10-shes më të mirë të Bashkimit Evropian.

Këtë deklaratë kryeministri shqiptar, Sali Berisha e ka bërë gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, duke deklaruar se është tashmë fakt i njohur nga të gjithë se Shqipëria ka shënuar tregues të lartë ekonomikë në rajon, edhe pse në efektin e krizës ekonomike globale, si të gjitha vendet e botës.

“Këta tregues të lartë janë arritjet e një kursi të thellë reformash”, bëri me dije më pas kryeministri Berisha, duke shtuar se në Ballkan vetëm Mali i Zi dhe Shqipëria patën rritje të të ardhurave.

“Ekonomia funksionoi në këtë vend se ishte vota e lirë. Por ka edhe nga ata që duan ta nxijnë këtë realitet”, u shpreh ai, duke iu referuar në këtë mënyrë kritikave të opozitës për rritjen ekonomike.

“Vendi ynë merret si model i rritjes ekonomike dhe thuhet se ajo eci edhe në kuadrin e efekteve të krizës ekonomike globale, pasi u mbështet tek investimet”, u shpreh Berisha.

Duke shtuar se “edhe të tjerët i shndërruan investimet në ndërtime dhe u mbetën bosh, por kjo e jona është në fillim industri dhe pastaj ndërtim prandaj funksionon”, përfundoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE