English

Gjykata Lë Në Burg Autorin E Dyshuar Të Atentatit Me Lende Plasese

TIRANE, 16 Qershor/ATSH/- Gjykata e Tiranës vendosi sot që të lërë në qeli shtetasin Luan Dervishi, i dyshuar si autor i atentatit me eksploziv të dielën e kaluar në periferi të kryeqytetit, me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve. Gjykata vendosi masën e sigurisë "arrest me burg pa afat" ndaj 28 vjeçarit Dervishi, ndërkohë që në ballafaqimin e parë me të, i pandehuri nuk ka preferuar të japë shpjegime për ngjarjen. Ngjarja për të cilën akuzohet Luan Dervishi ndodhi para tre ditësh në Sauk të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm brenda një banese humbën jetën dy persona, ndërsa u plagosën rëndë tre të tjerë. Sipas prokurorisë, shpërthimi është shkaktuar nga aktivizimi i një sasie prej 600 gram lënde plasese (tritoli) brenda një televizori të ri, që autori i kësaj ngjarjeje, duke u paraqitur me një identitet të remë, kishte mundur t'ia çonte si "dhuratë", familjes Xhebrahimi me të cilën mendohet se ishte në hasmëri. Gjithçka ndodhi në momentin kur Xhevdet Xhebrahimi dhe një i afërim i tij, Luan Brahja, ishin duke montuar televizorin e ri. Nga shpërthimi ata gjetën vdekjen e menjëherëshme, ndërsa mbetën të plagosur rëndë bashkeshortja e Xhevdetit dhe dy fëmijët e tij. Prokuroria pretendon se ngjarja ka për motiv hakmarrjen, pasi 13 vjet më parë Xhevdet Xhebrahimi kishte vrarë për motive të dobëta Naim Dervishin, xhaxhanë e Luan Dervishit./a.m/s.s./
KOMENTE