English

Kosove - Sejdiu: Bekim Fehmiu, Sinonim I Artit Filmik

PRISHTINË, 16 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Sinonim i artit filmik, vlerësohet Bekim Fehmiu nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Presidenti i Kosovës i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Fehmiu, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, aktorit me fame ndërkombëtare, Bekim Fehmiu. "Lajmi për shuarjen e Bekimit na ka prekur rëndë të gjithëve. Por, emri i tij, vepra kolosale kinematografike që la ai pas vetes, na bën të jemi të bindur se Ju do të gjeni forcë për ta përballuar dhembjen e madhe", theksohet ne telegramin e ngushellimit. "Bekim Fehmiu është sinonim i artit filmik në këtë pjesë të Evropës, ndërsa vlera e veprës së tij është universale. Ai jetoi, punoi dhe iku si një artist i këtyre përmasave", shprehet Presidenti Sejdiu. /a.ke/
KOMENTE