English

"Rendja Drejt Ëndrrës... Arratisja", Filmi Dokumetar I Namik Ajazit

T TIRANË, 16 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Dëshira për të qënë i lirë, vuajtjet, burgimet, internimet, ishin në qëndër të filmit dokumentar "Rendja drejt ëndrrës... arratisja", i regjisorit Namik Ajazi. Filmi dokumentar, i cili i kushtohet fenomenit të arratisjes, një bashkëprodhim i "Media Vision" dhe Televizionit Publik Shqiptar, me skenar të Alida Cenajt dhe Namik Ajazit, u promovua sot në mbrëmje në mjediset e Kinema "Millenium" në Tiranë. "Është një temë që nuk është prekur ose është prekur shumë pak, prandaj menduam të sjellim për herë të parë një film jo vetëm për një emër, siç kanë qënë filmat që kemi sjellë më parë si Paçrami, Drita Çomo, por të sillnim një fenomen siç ishte ai i arratisjes", tha në një prononcim për mediat regjisori Namik Ajazi. Ai vlerësoi se "ky fenomen vlen të kujtohet dhe të mbetet në arkivën e asaj kohe, duke e sjellë ashtu siç ka qënë me dokumentacionin që kemi marrë në Arkivin Shtetëror të sistemit, dhe duke e ilustruar me disa shembuj shumë sinjifikativë me njerëz që dëshironin një jetë tjetër, që dëshionin të dilnin përtej kufijve, që nuk kishin asgjë drejtëpërdrejtë me politikën, por që u burgosën, internuan dhe patën një kalvar pa fund". Filmi është realizuar me personazhe reale. Pesë prej tyre tregojnë secili nga një histori të ndryshme dhe që në një farë mënyrë përmbledhin të gjithë realitetin e saj kohe. "Janë Hysen Xhani, një i arratisur i viteve 1957, i cili u rikthye për t'u futur më pas në burg, deri tek historia e dhimbshme e një djaloshi 20 vjeçar nga Cërriku, që u vra. Historinë e tij e tregon e motra", tha Ajazi. Duke folur për filmin ai thotë se, "ai është xhiruar pothuajse në të gjithë Shqipërinë, gjithkund ku ka pasur kufij. Kemi patur probleme të pafundme sepse nuk ktheheshe dot në kohë, sepse nuk ka më klon, nuk gjetëm më asnjë metër klon përveç dikujt që kishte qëlluar në sinorin e tij dhe që e kishte ruajtur me shumë kujdes dhe ne u përqëndruam aty kryesisht". "Rendja drejt ëndrrës... arratisja", filmi dokumentar prej 38 minutash, i kushtohet të gjithë atyre që tentuan të arratiseshin përpara viteve '90, dhe njëri prej tyre ishte edhe sportisti 20 vjeçar nga Cërriku, Sokol Hado, i cili gjeti vdekjen ne kerkim te lirisë. Motra e tij, Ariana Sulstarova Hado, tregon se "Sokoli u vra në kufi te Mali i Korabit në shkurt të vitit 1990, pasi për vite të tëra ëndërronte atë botë të lirë". "Ka 20 vjet që ajo ngjarje ka ndodhur, por për ne ajo është një plagë e madhe, kaq e dhimbshme, kaq e prekshme që ai e ëndërroi aq shumë atë botë dhe nuk e arriti, ndërkohë që pas 6 muajsh u hapën ambasadat dhe jashtë shtetit ikën shumë të rinj, kurse ai që e ëndërroi me vite nuk e arriti dot", thotë Hado. Ajo shprehet e kënaqur më përmbysjen e sistemit totalitar pasi njerëzit filluan të lëvizin lirshëm, por sipas saj, " për këto ngjarje duhet të mësojmë të gjithë, që në një fare mënyre të tregojmë se kush jemi dhe të dënojmë atë sistem dhe ata njerëz, të cilët duhet të kenë një pendesë morale, të kenë kurajon të thonë më fal për vendimet e ndryshme që kanë marrë". E pranishme në këtë promovim filmi ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, miq, artistë, etj. Regjisori Namik Ajazi njihet si autori i shumë filmave dokumentarë si "Dritë në humnerë" kushtuar Drita Çomos, "Djali i gjakut", "Kujtim Spahivogli, kthim në tempullin e shenjtë", një realizim i vitit 2005, "Kur vriteshin poetët", etj. /s.s./
KOMENTE