Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Reportazh/ Kosovë: Në Sharr Për Festën E Çlirimit
English

Reportazh/ Kosovë: Në Sharr Për Festën E Çlirimit

SHARR/KOSOVË, 16 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Në malet e Sharrit dje ishte festë. Mbi 30 mijë banorë të 18 fshatrave të Opojës, e cila po me aq fshatra të zonës së Gorës formon komunën me emrin e ri, Sharr, gëzuan ditën e 11- vjetorit të çlirimit nga pushtuesit serbë. "Në fillim të prillit të 1999-tës na kanë dëbue masivisht nga tokat tona," tregon për ATSH-në Tahiri, ndërsa tupanat e festës kanë filluar të bien fort në rrafshultën e Opojës. "E ne nuk jemi larguar asnjë ditë nga qyteti që na mikpriti Kukësi, pasi e dinim që do të ktheheshim shpejt në votra", tregon Tahiri që ka katër çika dhe dy djem të vegjël, të cilët lozin aty pranë me disa bashkëmoshatarë. "Dy vajza i kam të martuara dhe jam bërë gjysh," vazhdon më pas ai. 59-vjeçari jeton në Bresanë, një nga fshatrat me shtëpitë shtrënguar pas njëra-tjetrës. Shumica e tyre janë ende të pa suvatuara, por ndërtesat me oborret e vegjël të gjelbëruar dhe me çatitë e kuqe duken të bukura e në harmoni me njëra-tjetrën. "Kukësi meriton çmimin Nobel," e nget fjalën përsëri Tahiri, duke treguar me dorë malin e Gjallicës, i cili në këtë krah, tregon faqen e tij veriore. "Më duket sikur jemi rikthyer dje me karroca, traktorë dhe me çfarë të mundnim. Po ktheheshim përgjithmonë në shtëpitë tona", tregon ai. "Nga 15 qershori i vitit 1999, që komuna jonë e feston si ditën e çlirimit, kanë kaluar 11 vjet," dëgjohet në altoparlantë zëri i Salim Jonuzit, kryetarit të komunës. "Ne përkulemi me respekt para të rënëve në luftë, nderojmë gjakun e atyre që humbën jetën nga dhuna mizore e pushtuesit e repektojmë të gjithë luftëtarët e UÇK-së që iu bashkuan fitores së madhe," vazhdojnë altoparlantët. Fshatrat e komunës së Dragashit, siç vazhdon të njihet ende komuna në kufi me Shqipërinë, janë vendosur rrëzë kodrave, që më pas bëhen male të zbukuruara me pyje bungaje e ajër të pastër e të shëndetshëm. Nga Kapre, Buzeza, Buqa, Opoja e Bresana pasditen e së martës të gjithë janë derdhur në territorin e rrafshët, ku do të organizohen edhe garat e kuajve, një traditë që vjen nga thellësia e shekujve. "Kuajt dhe pelivanët nuk kanë munguar kurrë këtu," thotë Emiri, një djalosh që kërkon të njihet me kuajt që do të garojnë. "Pelivanë u thërrasim burrave që bëjnë mundje," ndërhyn Ahmedi. Kthej kokën përsëri nga Gjallica dhe mendoj për Kukësin dhe Shishtavecin që ndodhen në anën tjetër të malit. Edhe atje bëhen gara kuajsh, burrat dhe djemtë ndeshen ballas si mundës në shesh, e kur vjen dimri, rrëshqasin me ski nga rrëpirat ku shihet ende cipa e dëborës. "Njerëzit këtu merren kryesisht me blegtori," më thotë Ahmedi, i cili shet këpucë në shitoren e familjes, aty ku përroi zbret zhurmshëm mes Bresanës së gjelbëruar. "Shteti ka nisur të na ndihmojë për të shtuar sidomos lopët dhe dhitë," shton Tahiri, i cili punon në zyrën e Postë Telekomunikacionit të Bresanës. "Ngela pa punë në fillim të viteve 1990 dhe punova si marangoz," më thotë ai, duke më treguar dy gishtat cung që i kanë mbetur në sharrat e punishtes. Ahmedi dhe Emiri kanë ardhur të shohin garat dhe në sheshin ku vazhdon të ushtojë kavalli dhe tupanat, shikuesit kanë zënë vend pas shiritave që kanë krijuar hipodromin në formë elipsoidi, me gjatësi 1400 metra. Urani, që thotë se punon si bari, tregon se në shtëpinë e tij, që prej 400 vjetësh kanë mbajtur kuaj për gara. "Edhe dasmat këtu nisin me një garë të vërtetë kuajsh," vijon ai, ndërsa sheh me padurim se si do të niset "Dunhilli", kali i tij i preferuar. Miqtë nga Durrësi nuk e kanë zor të bëhen fitues të garës së parë me distancë 1000 metra. "Jemapeli", një kalë i bukur i racës angleze dhe kalorësi Anton Gjini kanë fituar zemrat e burrave të Sharrit, të cilët ndjekin me vëmëndje emrat e kuajve që do të konkurojnë për kupën, në distancën 2000 metra. "Dunhilli", "Sateliti", "Adelina" dhe "Buqa" janë përfaqësues të fshatrave rreth e qark, ndërsa mysafirët e shoqatës "Jockey Club Albania" përfaqësohen nga "Star Tripi" dhe "Galeoto". Kuajt shfaqen në kthesën e parë të djersitur dhe çdo shkrofëtime i përgjigjet një plis dheu, që ngrihet në ajri dhe nuk dihet se ku përfundon. Një gazetare e re, e vetmja grua në atë mori burrash që thërrasin për të nxitur kuajt e "zemrës", vrapon për të intervistuar fituesin, Tikon, një kalorës serb shtatshkurtër, që edhe pse gara ka mbaruar vazhdon të qëndrojë shtërnguar në shalën e vogël të "Satelitit". Mbi shpinën e "Satelitit", pas pak çastesh, feston një nga djemtë e kasapit të fshatit, të zotit të kalit fitues. Mbrëmja po bie dhe në qendër të fushës, kryetari i komunës nis e shpërndan medaljonet për pjesmarrësit, ndërsa dëgjohet zëri i njërit prej mysafirëve nga Durrësi që duke marrë trofeun, uron me gjithë zemër për festën e çlirimit. Mes përshëndetjeve të opojasve, kemi lënë pas hijen e malit të Sharrit dhe në rrugën e Prizrenit, kthehemi majtas sapo kemi parë një flamur të madh me shiqiponjën dykrenare, e cila shihet nga rruga e Zhurit, fshatit të parë dhe të fundit të komunës. Sapo kalojmë doganën e Morinit na pret Rruga e Kombit, asfalti i së cilës duket sikur shket ndër gomat e makinës para se ato t'a përkëdhelin atë lehtë. /ch/
KOMENTE