English

Shqipëri-Kosovë, patrullë të përbashkët për kontrollin e akseve rrugore

Morinë, 16 qershor, NOA - Policia shqiptare dhe ajo e Kosovës do të patrullojnë së bashku në të gjitha akset kryesore rrugore gjatë sezonit turistik.

Memorandumi i nënshkruar mes përfaqësuesve të ministrive dhe policisë së dy vendeve u nënshkrua sot në Morinë. Bashkëpunimi i efektivave policorë do të jetë i vlefshëm deri më 15 Shtator 2010.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit kanë qenë drejtorët e përgjithshëm të policive të Shqipërisë dhe Kosovës, në prani të ministrave të Brendshëm Basha dhe Rexhepi.

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, u shpreh se kjo marrëveshjeje do të ofrojë, jo vetëm një kontroll më të mirë të sigurisë rrugore dhe ulje të rrezikut në trafikun rrugor, por edhe një shërbim më cilësor për qytetarët.

“Kjo marrëveshje do të përmirësojë më tej cilësinë e shërbimit, do të përmirësojë më tej transparencën e këtij shërbimi duke ulur në minimum ankesat e qytetarëve dhe duke shtuar në maksimum sigurinë e lëvizjes së tyre dhe kënaqësinë e pranisë së tyre gjatë sezonit turistik në territorin e Republikë së Shqipërisë”, tha Basha.

Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, u shpreh se duke bashkërenduar shërbimet do të rritet parandalimi i incidenteve rrugore dhe do të ketë një siguri më të madhe në akset që lidhin dy vendet.

“Patrullimet e përbashkëta të punonjësve të policisë rrugore të Shqipërisë dhe Kosovës do të organizohen e zbatohen sipas një plani të përbashkët masash dhe do të kryhen me mjetet e Policisë së Shtetit. Patrullimet e përbashkëta të trafikut rrugor nisën sot, menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

m.xh/NOA
KOMENTE