Provimi I Matematikës- Publikimi I Rezultateve Pas 15 Ditësh
					  TIRANË, 17 Qershor/ATSH/.- Shpallja e rezultateve të provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Matematikës që u zhvillua të martën, do të bëhet jo më vonë se 15 ditë; njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
     Skema e vlerësimit të përgjigjeve që kanë plotësuar rreth 38 mijë maturantët pjesëmarrës në këtë provim do të jetë e dyfishtë.
     Vlerësuesit, pasi marrin në dorëzim testet, do të konfirmojnë saktësinë e tyre dhe do të bëjnë kodifikimin me numra, pavarësisht nga barkodi dhe pa e dëmtuar atë. 
     Korrigjuesit mund të bëjnë shënime në test, por vlerësimet për çdo pyetje do i pasqyrojnë në formularët përkatës. 
     Rakordomi i vlerësimeve do të bëhet pas korrigjimit të çdo 40 testeve. Në rastet kur ka mospërputhje midis dy vlerësuesve, përgjegjësi i vlerësimit do të jetë një vlerësues i tretë. Më pas, përgjegjësi i vlerësimit firmos në tabelën e vlerësimit të testit, së bashku me vlerësuesin e tretë. 
     Ministria e Arsimit do të ngrejë komisione të posaçme (KOPOTED), që do të shqyrtojnë rast pas rasti të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve dhe me parregullsi. 
     Vlerësimi i testeve të Matematikës do të kryehet në katër qendra: në Tiranë, në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani"; në Elbasan, në godinën e shkollës "Qemal Stafa",  në Shkodër, në godinën e shkollës "Jordan Misja" dhe në Fier, në godinën e shkollës "Naim Frashëri"./e.gj/s.s./ 				
				
				

 
    