English

Ruçi: Ps, Në Parlament Për Të Marrë Përgjegjësitë Për Integrimin E Vendit Dhe Liberalizimin E Vizave

TIRANË, 17 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi sot, në Kuvend, se "PS është në parlament për të shpalosur përgjegjësitë tona për integrimin dhe liberalizimin e vizave". Duke marrë fjalën pas deklaratës së Kryeministrit Berisha në Kuvend, i cili i bëri thirrje PS-së që t'i rikthehet traditës më të mirë të bashkëpunimit parlamentar, z. Ruçi e konsideroi këtë deklaratë si "demagogjinë e radhës". Kryetari i grupit parlamentare socialist deklaroi se "opozita do të jetë në parlament për të treguar përgjegjësinë e saj dhe një barrikadë për veprimet jo të drejta të mazhorancës". "Ne jemi këtu për integrimin e shqiptarëve dhe jo për ti hequr vizë Shqipërisë. Shqipëria sot është në udhëkryq dhe ju duhet t'i përgjigjeni duke u bërë aktor dhe faktor për transparencën e zgjedhjeve", u shpreh Ruçi. Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje sot, nga foltorja e Kuvendit, Partisë Socialiste që t'i rikthehet traditës më të mirë të bashkëpunimit parlamentar. Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu falënderimin ndaj kryetarëve të grupeve parlamentare të Parlamentit Europian dhe të gjithë atyre që bënë përpjekje të mëdha për të zgjidhur problemin e qëndrimit të PS-së ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit dhe institucioneve të vendit. Duke i bërë thirrje PS-së që t'i rikthehet traditës më të mirë të bashkëpunimit parlamentar, Kryeministri u shpreh se "ky parlament ka patur momentet më të rënda në historinë e tij, por ky Kuvend ka gjithashtu në arkivën dhe traditën e tij edhe vendimet më të rëndësishme mbi bazën e të cilave Shqipëria ka ecur përpara"./m.m/ /a.gj/
KOMENTE