English

Sport-Botëror/ Franca Dhe Argjentina Në Prag Të Provës Së Dytë Botërore

TIRANË, 17 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Rikthehen sot ndeshjet e Kupës së Botës, "Afrika e Jugut 2010". Të parët që do të zbresin në fushën e lojës do të jenë Argjentinasit e teknikut Diego Armando Maradona, të cilët do të përballen me skuadrën aziatike të Koresë së Jugut, për të vendosur se cila skuadër do të marrë kryesimin e grupit B. Në ndeshjet e para Argjentina mposhti 1-0 Nigerinë falë golit të mbrojtësit Gabriel Heinze, ndërsa Koreja e Jugut mposhti 2-0 Greqinë falë një loje të shkëlqyer të kapitenit të saj Park Ji Sung. Argjentinasit shihen si favoritë në këtë takim, por nuk përjashtohet ndonjë rezultat surprizë nga koreanojugorët. Në sfidën tjetër të grupit B, Greqi-Nigeri, do të përballen dy skuadrat që pësuan humbje në takimet e para dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores do të thoshte eleminim nga Botërori. Prandaj kjo ndeshje merr vlera të veçanta për dy skuadrat e drejtuar nga dy gjeni të pankinës si suedezi Lars Lagerbak dhe gjermani Oto Rehagel. Sulmuesi Georgios Samaras beson se Greqia ka ende shanse për të vazhduar në raundin tjetër të botërorit dhe për këtë i duhet patjetër fitorja me Nigerinë. "Në ndeshjen kundër Koresë së Jugut bëmë shumë gabime që kanë nevojë për t'u rikuperuar menjëherë. Nigeria është një test i vështirë për ne, duhet të fitojmë patjetër. Në rast humbjeje, ëndrra jonë për të vazhduar në Kupën e Botës ka marrë fund", tha Samaras. Sulmuesi grek, i cili luan edhe për Celtic, shtoi se do të ishte në favor të ekipit, nëse Nigeria luan njëlloj si në takimin me Argjentinën, ku humbi 1-0. Ndërsa Franca dhe Meksika do të luajnë mes tyre mbrëmjen e sotme me qëllimin e vetëm për fitore dhe për të forcuar pozitat në grupin A, ku ndodhen me pikë të barabarta, me nga një pikë. Për lojën e Francës, ish-kapiteni Zinedine Zidane është shprehur me tone kritike se mungon shpirti i grupit, ku çdo lojtar mundohet të luajë në mënyrë individuale. Ndërsa tek kombëtarja meksikane, trajneri Javier Aguirre ka vendosur t'i japë besim të plotë lojtarëve Guillermo Franco dhe Carlos Vela, nga të cilët pret të shfrytëzojnë çdo rast për të shënuar. "Në takimin e parë kundër Afrikës së Jugut patëm raste, por na mungoi efikasiteti. Presim që kjo të ndryshojë", tha Aguirre./k.sh/
KOMENTE