English

Uliksi, djali i madh i Bekim Fehmiut:Edhe emri i tij flet, ndërsa la pas heshtje...

Beograd, 17 qershor, NOA – Emri shqip i Bekim Fehmiut, që nënkupton bekimin që të jep nëna, apo edhe populli mbarë, më së thelli nënkupton dashurinë për rrënjët shqiptare të familjes gjakovare nga ku erdhi në jetë legjenda e ekranit, Bekim Fehmiu.

I biri i tij i madh, Uliksi, që mban emrin e Uliksit, mendjendriturit të Greqisë antike, flet për të atin e tij, ku ndër të tjera edhe për emrat që tërë familjen e karakterizojnë si rojtare të denjë të kulturës dhe identitetit shqiptare.

“Që të flas për babanë tim, Bekimin, së pari do të duhet të flas për gjyshin tim, Ibrahimin, i cili ka lindur më 1892 në Gjakovë, në një familje tregtare dhe arsimore. Shkollën Normale dhe Medresenë e kishte kryer në Shkup. Biografia e gjyshit shkurtimisht mund të tregohet edhe përmes emrave që ua kishte lënë fëmijëve të vet, duke u përpjekur që ata t’i kishin vetëm me kuptime shqiptare, e në asnjë mënyrë arabe ose turke’, rrëfen në një intervistë Uliks Fehmiu, i cili vijon rrugën e të atit, si aktor.

Ai rendit, disa nga emrat e motrave dhe vëllezërve të të atit, si Besa, Shpresa, Bashkim, Arsim, Fatmir, Bekim, dhe Luljeta.

Uliksi nis rrëfimin për gjyshin e tij, një patriot i njohur, Ibrahim Fehmiu, i cili ishte dora e djathtë e Bajram Currit, që dha kontributin e tij në luftën për mëvetësinë e trojeve shqiptare.

Sikundër rrëfen Uliksi, gjyshi i tij një ndër mësuesit e parë shqiptarë, iu kushtua arsimimit të popullit të tij dhe hapjes së shkollave nëpër Kosovë dhe Shqipëri, shkak për të cilin pushteti serbo-malazez e dënon me vdekje.

Pas rënies së Mbretërisë Jugosllave më 1941, familja u kthye në Prizren, ku ai vazhdoi punën e tij edukative dhe patriotike.

As në kohën e Jugosllavisë së re, tregon Uliks Fehmiu, nuk mbyllet golgota e familjes Fehmiu, pasi gjyshin e burgosin dhe pas procesit të montuar ai u dënua, dhe vdiq pas daljes nga burgu, në vitin 1951 ai vdiq. Uliksi vijon rrëfimin e tij tashmë për të atin, Bekimin, gjenerata e të cilit, ishte gjenerata e parë në historinë e Kosovës, e shkolluar në Akademinë e Arteve, që nga gjysma e shekullit XX e deri më sot, pas Aleksandër Moisiut, i pari aktor shqiptar me këtë famë botërore.

”Deri në ditët e sotme, profesorët e Akademisë e përmendin babnë tim”, tregon Uliksi, “si shembull i një talenti të jashtëzakonshëm dhe si një student i vyer, që edhe unë, si student i të njëjtit fakultet i kam dëgjuar disa herë ato lëvdata që i bëheshin babait tim”.

Deri në vitin 1987, kur dha dorëheqjen nga Teatri jugosllav i Dramës, ai kishte luajtur mbi 40 role të ndryshme teatrore, nga të cilat kishte interpretuar role të mesme dhe kryesore, duke hyrë këtu edhe “Atelia 212”.

Pas suksesit të madh të filmit “Mbledhësit e puplave”, në regjinë e A. Petroviqit, ku luajti rolin e romit Boro i bardhë, një film që fiton dy çmime në Festivalin e Kanës në 1967-ën dhe nominohet edhe për “Oskar”, një epokë në të cilën nisi edhe karriera botërore e Bekim Fehmiut, si i pari yll europian nga kinemaja ballkanase, ku nënshkroi edhe një kontratë disavjeçare me producentin Dino De Laurentis.

Sikundër thotë Uliksi, shkrimtari dhe producenti italian, Francesko Skardamalia, kishte thënë: “Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet lindore komuniste, i cili xhiroi në Perëndim gati njëzet vite, duke e depërtuar perden e hekurt, deri në paraqitjen e Gorbaçovit dhe rrëzimin e Murit të Berlinit.”

Filmin e fundit “Xhingis Kani” e ka realizuar në vitin 1992 në regjinë e Ken Anakinit dhe në produksionin amerikano-italian. ”Rënia e Jugosllavisë, lufta e tmerrshme vëllavrasëse, shkatërrimi i Vukovarit, bombardimi i Dubrovnikut, rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, lufta në Kosovë, bombardimi i RS të Jugosllavisë, bënë që im atë të tërhiqej edhe më tepër, nga bota.”

Rrëfimin e gjatë mbi jetën e të atit Bekim Fehmiu, i biri i tij më i rritur, Uliksi, e mbyll me këto fjalë: “Është ndarë nga fjalët që për aktorin janë më të fuqishmet dhe mjeti më i mirë; është ndarë prej tyre dhe i ka shndërruar në heshtje, në protestë, me ç’rast Hamleti do të thoshte...:”Ka mbetur heshtja”.

mit/NOA
KOMENTE