English

Kukes: Investimet E Huaja Synojne Shtimin E Bashkepunimit Nderkufitar

KUKES, 18 qeshor/ATSH-R.Hoxha/. - Investimet e huaja, programet e PNUD-it, synojnë shtimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes Kosovës e Shqipërisë, veçanërisht përmes një programi që financohet nga Komisioni Evropian. "Është një program që përmes përgatitjes së projekteve nga pushteti vendor, institucioneve shtetërore e OJF-ve, të mundësojë investime të konsiderueshme në ato fusha ku vetë komuniteti ka më tepër nevojë", tha për ATSH-në koordinatori kombëtar i projekteve të PNUD-it në qarkun e Kukësit, Bukurosh Onuzi. Sipas tij, vetëm për fazën e parë, nga Komisioni Evropian janë në dispozicion të projekteve që po përgatiten mbi 100 mijë euro, ndërsa çdo projekt i miratuar në këtë fazë do të financohet me një fond prej 1 - 1,5 milion lekë, veç 15 për qind të buxhetit që duhet të financohet nga përfituesi. Viti 2010 është viti i parë i zbatimit të këtij projekti, ndërsa i gjithë projekti ka një fond prej 500 mijë eurosh dhe do të zgjasë 2 vjet. "Projekti synon që brenda dy vjetëve të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore të fshatrave kufitare, zhvillimin kulturor të tyre, shkëmbimin e informacionit të pushtetit vendor etj", thotë Onuzi. Ndër investimet kryesore të këtij projekti është ndërtimi i një muzeu në qytetin e Kukësit dhe rikonstruksioni i muzeve të qyteteve të Krumës e Bajram Çurrit, çka do të rrisë edhe numrin e vizitorëve në qytetet e qarkut të Kukësit. /a.ke/
KOMENTE