English

URGJENT – Gjykata e Tiranës dënon Top Channel me 400 mijë euro dëmshpërblim

SHIKONI VIDEOT PRO DHE KUNDER

Tiranë, 18 Qershor 2010 NOA – Gjykata e Rrethit të Tiranës sapo ka shpallur një vendim që dënon me shumën e 400 mijë euro dëmshpërblim, (rreth 54.5 milionë lekë të rinj), televizionin kombëtar Top Channel, raporton nga gjykata, gazetari i agjencisë NOA.

Vendimin e ka marrë gjyqtari i çështjes Ylli Pango kundër Top Channel, Agim Bendo lidhur me padine e Pangos pas videos se transmetuar ne Top Channel ku aludohej se Pango atehere minister, ngacmonte seksualisht nje femer qe donte te punesohej.

Gjyqtari Bendo ka shpallur fajtore Top Channel duke pranuar si të drejtë padinë e ngritur nga ish-ministri i Turizmit dhe Kulturës Ylli Pango, lidhur me videon e publikuar ku Pango pretendohej të shfaqej të flirtonte me një vajzë.

Gjyqtari Agim Bendo, duke argumentuar vendimin, më tej edhe kërkon: “Televizioni Top Channel, nuk duhet të publikojë më asnjë video të tillë që cenon jetën personale të tjetrit”.

{youtube}B8B3QXABuf0{/youtube}

{youtube}DEX1sINwNE4{/youtube}

Ja biseda e plotë që publikoi Top Channel

TELEFONATA E PARË Ylli Pango - Po Fiksi - Alo Ylli Pango - Çkemi? Fiksi - Mirëmbrëma profesor Ylli. Ylli Pango - Mirëmbrëma. Fiksi - Më fal që nuk e hapa telefonin pak më parë, por isha me familjen tek QTU-ja dhe nuk mund të flisja. Ylli Pango - Nuk ka problem, unë kujtova se ishe në gjumë (qesh). Ylli Pango – M.q.s., për sot kaloi, se unë tani prapë po merrem me gjëra të tjera, nesër ta fiksojmë një çikë që të të takoj pak, mirë? Fiksi – Ok., por rreth çfarë ore? Ylli Pango – Shiko, ta bëjmë kështu, se kam hall që të tregojë rrugën shoferi ty, ose të të sjell nja dy makina të ndryshme, ose në një makinë, si të duash ti. Nuk ka asnjë problem. Ti të vish tek Ministria, le të themi rreth orës 5-5.30. Nga 5.30, tek Ministria, më kupton? Pastaj do të tregoj, është aty ajo ku të thashë, aty tek Tirana e Re. Fiksi - Tek Tirana e Re... a mund të ma thuash edhe një herë se nuk e... Ylli Pango - Më mirë të ta tregojë shoferi, që mos të ngatërrohesh, ta tregon shoferi. Fiksi – Hë, se kam makinë vetë, mund të vij edhe vetë. Ylli Pango - Lër makinën tënde, me makinën e tij, që mos të shqetësohesh. Nuk ka asnjë problem. Ekupton, edhe një herë, kur të vish, do të të presë shoferi me makinën time. Fiksi - Shoferi juaj? Ylli Pango - Shoferi i imi, i imi. Ti me makinën tënde vazhdoni. Do të tregojë se ku është instituti dhe kaq. Fiksi - Ok. Do ndalem një herë tek Ministria, apo të vazhdoj? Ylli Pango - Te Ministria, te Ministria. Fiksi - Dokumentet i pe? Ylli Pango - Dokumentet i pashë, prandaj thashë që duhet të bëjmë pak muhabet, sepse kam disa ide që lidhen edhe me..., prandaj po të them edhe për institutin, sepse lidhen edhe me institutin. D.m.th., kam disa gjëra për punën, gjithmonë që, po të jesh dakord ti, shkon mirë. Gjithsesi, pasi ta shikosh ti, sepse edhe ti ke të drejtën e zgjedhjes, e ke parasysh? Fiksi – Ok., ok. Të thashë që kam mesatare të mirë dhe kam një CV të pasur, besoj që... Ylli Pango – Po, e pashë pra, e pashë. Ti the që mesataren e ke, kështu mesatare, por atë nuk e kishe dhe aq mesatare, mirë e kishe. Po pra, mirë ishte e vlerësova, e kupton? Hajde në 5.30 në Ministri, a e kupton? Fiksi - Tek instituti do jemi në zyrë, në lokal do ulemi... Ylli Pango - Po pra, po. Jo mo, ka zyrë aty, ka zyrë, është normale, ka zyra, asnjë gjë tjetër. Hajde në Ministri që të të tregojë shoferi se ku është instituti dhe kaq, asgjë tjetër. Pastaj, në institut, punët që janë atje për t’u bërë, dhe kaq. Do rrijmë një çikë vetëm dhe ik pastaj. Fiksi - Ok. Në orën 5.30? Ylli Pango - Në 5.30 jam në Ministri. Si ta kesh më kollaj, se po të të them unë dil atje, dil këtu, nuk egjen dot se ku është instituti, a më kupton, sepse do të vijë shoferi? Që të të trgojë rrugën ty, që ta gjesh menjëherë. Po të duash ta shpjegoj edhe kështu unë, nuk ka ndonjë problem, më kupton? Fiksi – Ok., ma shpjego, se po vij më mirë, se, e kupton... të vij... Ylli Pango – Mirë, dil tek kjo që të bëj një kalim andej unë, që sot të ta tregoj si vend ku është, dhe të vazhdoj pastaj. Dil tek kjo... e di bankën "Pro Credit"? Fiksi - "Pro Credit", ku i bie? Ylli Pango - Ajo rruga që të thashë unë, që të nxjerr te... si quhej? Fiksi - Tek "Koha Jonë"? Ylli Pango - Po eee, por rruga e gjatë. Kjo është aty te... ku del sheshi i rrumbullakët, që të çon tek Tirana e Re. Fiksi - Po po, tek Tirana e Re. Ylli Pango - Tek sheshi, sa fillon sheshi, d.m.th. Fiksi - E kam idenë "Pro Credit Banc", tek LSI-ja, aty. Ylli Pango – Aty afër LSI-së, bravo, aty afër LSI-së. Për sa vjen ti, vonohesh shumë? Fiksi - Po për 20 min. them, nga Vora. Ylli Pango - Ok, ok. Hajt pra, ciao. Fiksi – Ok. kur të jem aty pastaj, do të të bëj telefon. Telefonata 2 Ylli Pango - Ke ardhur? Fiksi – Alo, Prof. Ylli, më fal se të mora për të njoftuar se, ngaqë ka shumë trafik këtu, sepse po bëhen punime në autostradë edhe nuk e di se sa mund të vonohem. Ylli Pango - E pashë, e pashë, se edhe këtu ka një trafik të tmerrshëm tek kjo, por dëgjo... Fiksi - Po pra. Ylli Pango - Këtë mund ta gjesh shumë lehtë ti. Atëhere këtë po ta them në telefon unë, që mos të ashtu... të vish me nge. D.m.th., LSI-ja është kur vjen nga Tirana për të shkuar tek Tirana e Re, është në krah të majtë, apo jo, është kështu? Fiksi - Po, po. Ylli Pango - Kur vjen tek rruga e gjatë, që është kjo rruga e gjatë me pemë anash, në fund fare, para se të kalosh tek sheshi i madh në krah të djathtë, është "Pro Credit Banc". E ke të shënuar, "Pro Credit Banc", duket ajo. Fiksi - Po, po e kam parasysh. Ylli Pango - E ke parasysh, kalon këto mobileri, lojëra fati, çfarë janë të gjitha me radhë. I kalon të gjitha këto dhe, para se të dalësh tek sheshi i madh, krah për krah, është banka "Pro Credit". Përballë asaj është pallati 10-katësh jeshil. Tek ky pallati është instituti, në kat të 6-të, dhe ka tabelën tek dera, "Instituti Shqiptar i Studimeve Sociale dhe Psikologjike". E ka të shënuar tek dera, me tabelë të kuqe të madhe. D.m.th., pallati jeshil është përballë bankës, në krah tjetër të rrugës, e ke parasysh? Fiksi – Po, po, e kam parasysh. Ylli Pango - Do hysh nga mbrapa, do ngjitesh në kat të gjashtë, shikon atë tabelën e kuqe. Kështu që, më mirë ta fiksojmë nesër nga ora 5.30 atje direkt, dhe e gjen, d.m.th. Fiksi - Në orën 5.30 të vij direkt atje, mos të vij fare tek Ministria? Ylli Pango – Jo, po, n.q.s., e ke kështu ti, kontrolloje një herë në mëngjes, mund ta gjesh direkt. Kontrolloje gjatë mëngjesit, mirë? D.m.th., bjeri një herë andej në mëngjes, shiko dhe do e gjesh kollaj. Po nuk e ke gjetur, më thuaj nuk e kam gjetur, dhe vij e të marr edhe tek Ministria, po të duash. Është shumë kollaj. Fiksi – Ok., se unë mendova që, m.q.s., do fle sonte në Tiranë, mund të vij nesër nga ora 9-10 tek Ministria Ylli Pango – Epo, tek Ministria e ke një çik zor ti, sepse unë nesër jam shumë në lëvizje, kam aktivitete,e ke parasysh? Në Ministri ti do vish, nuk ka problem, kjo është, sepse në institut ka edhe gjëra të tjera, kam për të treguar edhe disa gjëra, se unë kam tjetër ide, ta thashë, prandaj do bëjmë pak muhabet. Kam ide edhe tek instituti brenda, se janë dy gjëra Ministria dhe Instituti. Edhe aty ka njerëz si puna jote, të tjerë, më kupton? Fiksi - E kuptoj. Ylli Pango - Se më duhet aty, edhe aty më duhet juriste. Kështu që, nuk ka... kjo është thjeshtë për të... emrin e mundshëm, pastaj bëj çfarë të duash, vendos çfarë të duash ti. Dakord? Fiksi - Ok. D.m.th., gjithsesi, mos të të bëj telefon, sepse unë jam nisur në Tiranë, ora është 7.30, ekupton? Nuk e di se sa mund të vonohem, mos të të bëj telefon? Ylli Pango - Po ja, ti po ashtu bëj, ta llogaris. Çfarë të të them unë ty, gjithsesi, unë vendin ta thashë se ku është. Fiksi – Ok., por thjesht që mos të të prish punë, se mund të takohemi edhe sot. Nuk e di a është vonë për ty? Ylli Pango - Nuk më prish punë. Unë jam tek rrugica, tek "Kapriço". Edhe këtu ka një trafik të tmerrshëm, nuk e di, ti je duke ecur tani? Fiksi - Po pra, jam bllokuar në trafik. Ylli Pango - Ku në trafik, në ç'vënd është kjo...? Fiksi - Është aty tek kjo autostrada, që ka filluar... po bëhen punime. Ylli Pango – Mirë, gjithsesi, kur të vish, më bëj një telefon, se unë edhe mund të lëviz, se telefonin embaj hapur. Po qe se kam mbaruar punë, shikohemi edhe sot, po qe se do jem i zënë, ta lëmë në orarine nesërm. Dakord? Fiksi - Ora është 7.30, mendoj që maksimumi, maksimumi në orën 8 të darkës unë jam aty. Ylli Pango - Po nejse, ti kurdo që të vish, më bëj një telefonatë. Ok? Fiksi - Jam e penguar nga trafiku dhe jam si në siklet, se nuk e di, për çështjen e punës besoj që... Ylli Pango - Pse, pse je në siklet? Çfarë sikleti ke? Fiksi - Po e kupton, më pëlqen shumë ai vend pune edhe... u bë edhe shumë që jam papunë, edhe... Ylli Pango - Sa kohë ke ti pa ashtu? Fiksi - Ka 8 muaj. Ylli Pango - Po jo mo jo, se n.q.s. ti i plotëson kriteret, është normale ajo, nuk ka asnjë gjë, pse duhet ta kesh me kështu? Mos ki siklet fare. Unë për të mirë po mundohem, nuk e kam për kështu. Fiksi - Nuk e di n.q.s., e keni parë CV-në, unë personalisht mendoj që deri diku i plotësoj kriteret. Ylli Pango - I pashë, i pashë. I pashë, por nuk është problemi aty. Do t’i shikojmë me detaje pastaj se çfarë kishe ti. Ajo puna e gjuhës një herë, është e rëndësishme, sepse anglishtja e ka një vlerë, sepse edhe një fraksion i huaj... Bisedat e gazetares se Fiks fare, me ministrin Ylli Pango Gazetarja e Fiks fare shkon në Ministrinë e Kulturës për të kërkuar punë Ministri, Ylli Pango, e pret personalisht në zyrë Ylli Pango – Ç’kemi? Ylli Pango – Do më sjellësh dokumentet. Do më sjellësh çfarë ke mbaruar, fotokopjen e diplomës … gjuhë të huaj ke? Fiksi – Po , anglisht, italisht, tani jam duke mbrojtur frëngjishten. Ylli Pango – Atëherë do të më sjellësh të gjitha dokumentet. Ku jeton tani? Fiksi – Këtu. Ylli Pango – Me kë rri? Fiksi – Vetëm. Ylli Pango – Sa e ke numrin? Fiksi – 069 … Ylli Pango – (lexon nr. që i dha gazetarja dhe e regjistron në cel.) Ylli Pango – E ke telefonin me vete (i bën zile në cel. Gazetares, me cel. e tij). Fiksi – Normal. Ylli Pango– Ai është numri im. Fiksi – Ok. Pasi ministri i çon një mesazh në celular, ku i kërkon takim në orën 21.15, gazetarja niset për ta takuar Fillimisht komunikon me ministrit në celular Fiksi - Unë jam, me aq sa ma shpjeguan, është këtu tek Club 24 orësh. Është këtu përballë shtëpisë tuaj? Ok. unë jam këtu jashtë. Ministri e ka lënë takimin në banesën e tij private (Ministri i hap derën e shtëpisë) Fiksi - Mirëmbrëma. Si jeni, mirë? Ylli Pango - Si jeni, mirë? Je me njeri? Fiksi – Jo. Ylli Pango - Të pret njeri? Fiksi - Jo. Ylli Pango - Hajde ngjitu më lart. Po ç’kemi ndonjë gjë? Fiksi - Asgjë, të përditshmet. Ylli Pango - Eeeee pra. Po çfarë ke bërë? Fiksi - Asgjë. Mbarova shkollën dhe tani jam në kërkim pune. Ylli Pango - Hiqe xhupin. Fiksi - Kjo është zyra juaj? Ylli Pango - Unë kam të gjithë këtë vilën këtu. Kjo është me oxhak, një nga dhomat. Fiksi - Se mos ju kam bezdisur, mbase.... Ylli Pango – Jo, përkundrazi nuk më keni bezdisur, më keni dhenë kënaqësi. Mbase të kam bezdisur unë ty? Fiksi - Jo, jo. Ylli Pango - Se mos ke njeri që të pret, se the dua telefonin, apo nuk ke njeri? Fiksi - Telefonatat nuk dihen, e kupton? Mund të realizohen nga familja. Ylli Pango - E çfarë mendon që të fillosh? Fiksi – Po, nuk e di, të them të drejtën. Unë kam punuar vetëm tek ..... Ylli Pango - Çfarë bëje aty? Fiksi - Tek ..... kam punuar si... Ylli Pango - Po. Sa kohë ndenje aty? Fiksi - Kam ndenjur rreth 7 muaj, se kisha shkollën. Ylli Pango - Shkollën e mbarove tani ti? Sa t’u bë? Fiksi - Vjet. Ylli Pango - Që vjet, d.m.th., nuk ke kapur ndonjë punë tjetër? Fiksi - Jo. Thjesht mendova një herë të trokas, se mbase.... Nuk e kisha idenë nëse kishit nevojë për të punësuar. Ylli Pango - Po mirë. Çdo gjë bëhet, çdo gjë rregullohet. Kur femra është e guximshme edhe i lindin ide, të gjitha rregullohen. Varet se si e koncepton jetën dhe sa guxim ka (qesh). Si më shikon? Fiksi - Shtëpia shumë gjigante. Ylli Pango - Eeee. Ka edhe ambiente të tjera të vogla, që do t’i tregoj. Ç’kemi tjetër? Fiksi - Asgjë. Ylli Pango - Çohu një herë të të shikoj. Fiksi - Uuuuuuuuuu. Ylli Pango - Më pëlqen shumë ekspozeja jote, më pëlqeu që kur të pashë (Momenti kur tenton të zbërthejë këmishën) Fiksi – Uauuuuuuuuuuuuu, të lutem. Ylli Pango - Nuk të bëj gjë, nuk të bëj gjë. Fiksi - Jo nuk është... të lutem. Ylli Pango - Të jap fjalën që vetëm do të të shikoj se si je transformuar, asgjë tjetër (qesh). Fiksi - Jo, por.... të lutem, të luuuuuuuuutem. Ylli Pango - Nuk do që të të shikoj fare? Fare, fare, fare? Fiksi - Ju nuk më keni parë më parë se si kam qënë. Ylli Pango - Të thashë më parë që duhet të jesh vajzë që duhet të guxosh. Derisa erdhe e më takove, guxove. Nejse, nuk ka problem, dilni aty, sepse unë nuk të prek. Fiksi - Po më vini në siklet. Ylli Pango - Nuk të vë në siklet, sepse problemi është ky që, ti mund të hysh nëpër panairet e turizmit. Panairet e turizmit paraqiten kështu... ti pamjen e ke. Në këto lloj panairesh, n.q.s. ti je gocë eguximshme dhe futesh tamam në këtë punë, ti mund të bësh ekspozera shumë të mira sepse ne shkojmë nëpër panaire në Berlin, në Londër, nëpër panairet më të mira, dhe aty shkojmë... kemi marrë edhe femra kosovare. Kështu që, unë kam qejf të shikoj ekspozenë tënde. Po të jeshë e guximshme, mirë, i çan të tëra. Po qe se e ke problem pastaj, më thuaj, unë nuk është se ashtu... Fiksi - E guximshme në ç'sens? Ylli Pango - Sensi i parë është të të shikoj një herë që të të vlerësoj, se aty mund të dalësh me rroba banjoje. Fiksi - Të dal me rroba banjoje? Ylli Pango - Po mo, dalin të gjitha, nuk ka problem aty, që nga vendet e Amerikës Latine dhe të gjitha vendet që vijnë, normal, siç del në plazh. E dyta, mund të dalësh me rrobe ku paraqitesh me kostum kombëtar. D.m.th., janë disa variante, ka plot çdo vit aty. Kemi marrë nga dy vendet, Kosova dhe Shqipëria. Një variant që mendova për ty, është se do të të fus tek Agjencia e Turizmit që kam vend për goca, që të të vlerësoj. Tani kjo është pjesa e guximit. N.q.s. ti, që tani rezervohesh, dhe thua aaaaa, mos, të lutem, më lër mbaroj. Fiksi - Jo unë.... Ylli Pango – Dëgjo, diçka mbaje mend; siç hyre do dalësh. Nuk prekesh, nuk të bëhet gjë. Tani unë të thashë, ja, them që të shikoj një herë si fillim, se kështu paske ndryshuar goxha, pastaj vazhdojmë eflasim. Hajt moj hajt, se ke guxim ti, hajde. Pastaj, që kur ke ardhur në Tiranë, e ke kapur jetën. Kështu që, si fillim, hiq vetëm këtë këmishën, që të të shikoj si lëkurë, deri ku ke rënë. Fiksi - Të lutem, uuu më qenka zbërthyer.... të lutem, më vjen shumë rëndë, të lutem shumë. Ylli Pango – Asnjëherë, prej meje, kurrë. Unë jam ai i fushës, s'më vjen fare asnjë kështu.... Fiksi - Të lutem. Ylli Pango - Asnjë gjë, vetëm të të shikoj ke rënë nga shëndeti aq sa duhet. Fiksi - Shëndeti shikohet edhe pa hequr këmishën. Ylli Pango - Çfarë i ke këto dreq mbërtheckash, që nuk hiqen (tenton të heqë këmishën). Fiksi - Të lutem, shëndeti shikohet edhe pa hequr këmishën, të lutem profesor. Ylli Pango - Ti do ta heqësh për të tjerë, si nuk do ta heqësh për mua? Fiksi – Joooo, të lutem profesor, të lutem profesor, profesor, të lutem, të lutem. Ylli Pango – Ja, deri këtu, deri këtu (për të zbërthyer bluzën). Fiksi - Po nuk është gjë se... boll të lutem, boll. Ylli Pango - Deri këtu, deri këtu (ndërkohë zbërthen disa kopsa të këmishës). Fiksi - Të luuuutem, a mund ta mbërthej këmishën? Ylli Pango - Lëre pra, deri këtu, lëre deri këtu, pra, se nuk po të prek. Fiksi - (E SHTYN). Ylli Pango – Shih! Fiksi - A mund të qetësohem pak? Ylli Pango – Po, qetësohu ti, qetësohu. Fiksi - A mund të qetësohem, të lutem? Po më vjen shumë rëndë... Pango - Po nuk u mësove me mua ti, i bie që... Fiksi - Si do mësohem, të më shikosh para... Ylli Pango – Po, po. Fiksi - Të më shikoni ju nudo, para dhe pastaj? Ylli Pango - Jo nudo, jo. Fiksi – Ok. me të brendshme. Ylli Pango – Avash, mos bërtit, se nuk është ndonjë gjë. Mos u trondit, se nuk do të vras. Me dalë me rroba banjoje, shiko si bën, imagjino... Fiksi – Jo, unë tronditem. N.q.s. ju më shpjegoni paraprakisht pozicionin e punës, nëse pranon këtë lloj pune, ok! Por, në këto kushte, ora 9 e darkës, në shtëpinë tuaj, të zhvishem unë, tronditem. Ylli Pango - Hë moj, qetësohu, se nuk të bën gjë njeri me zor, se nuk jam ajo kategori. Ideja është kjo: në Agjencinë e Turizmit, e kam menduar që ka një vend për vajzë me pamje dhe me shkollë. Tani, në atë agjenci, që varet nga unë, se është drejtoria ime, zakonisht bëhen panairet e Shqipërisë për turizmin, dakord? Në këto panaire, ne veçojnë pjesët më të bukura të turizmit shqiptar si, malet, detet,e me radhë. Duhet pak anglishtja, si je me anglisht ti? Fiksi - Mirë, shumë mirë. Ylli Pango - Ok. Kam marrë edhe një tekst aty, që po munde ta përkthesh, ta marrësh me vete. Tekst anglishteje, është një nga fjalimet e mia, që do ta mbaj kur të shkoj atje. N.q.s. ti i jep këto prova dhe i plotëson, ky është vendi. Vendi është shumë i mirë, do të jesh pranë meje. Unë, kur të kem panaire jashtë, në të gjitha, bashkë me grupin, do të të marr edhe ty. Në Europë do të shëtisësh, mundësitë i ke, rrogën do ta kesh të mirë, këto. Këtë ofertë unë e kam për ata lloj vajzash që janë të mira në paraqitje, që janë të guximshme dhe jetën e kap për fyti që sot. E bën, mirë, nuk e bën, ma thuaj, se nuk ka gjë, unë nuk të shqetësoj. Fiksi - Duhet domosdoshmërisht të kthej një përgjigje tani, që të mendohem edhe unë? Ylli Pango – Aha, duhet të mendohesh? Po mirë, mendohu, si të duash?! Pastaj, çfarë prisje, çfarë pune prisje? Të punoje në zyrë, të rrije aty? Zyrë është ajo, ka zyrë ku lëviz herë pas here nëpër panaire. Fiksi - Ka këtë pjesën, që unë nuk e kisha menduar, që unë mund të dal edhe me rroba banjoje. Ylli Pango - Nuk është gjithmonë kjo. Kjo mund të jetë një herë në vit, në verë, ndërsa periudhën tjetër mund të jesh organizatore në panaire. Do bëhesh specialiste për këtë punë, në sensin që do marrësh njohuri për fletëpalosjet, për albumet, për turizmin. Do kesh njohuri për spotet që bëjmë ne, publicitare. Këto janë, në përgjithësi, ndërsa çfarë të dalë ndonjë rast i veçantë.... Fiksi - Nuk e di nëse do më lini, të paktën, të mendohem deri nesër? Ylli Pango - Unë nesër jam për rrugë. Unë jam për në Korfuz nesër, do rrij 2-3 ditë, do kthehem të dielën. E mbaj të hapur telefonin, nëse do, më bëj telefon. Fiksi – Ok. do komunikojmë në telefon. Ylli Pango - Do lëvizësh ti tani? Ke shqetësim, do të ikësh? Fiksi - Po. Ylli Pango – Ok. në dorën tënde është, unë kisha kënaqësi të të mbaja, ti e di. Të presin apo nuk të pret njeri? Fiksi - Mua nuk më pret njeri, por kam plane të tjera. Ylli Pango - Tani, sonte? Fiksi – PO! Ylli Pango – Çudi! Fiksi - Mendova që do ishte një takim i shkurtër, thjesht dorëzim dokumenti dhe kaq, prandaj. Ylli Pango – Dakord, herën tjetër rrijmë më gjatë, dakord? Fiksi - Do shikohemi në Ministri herën tjetër? Ylli Pango - Herën tjetër do më marrësh në telefon dhe do më thuash a e pranon apo jo, si punë, pastaj.... Ylli Pango - Ato m’i solle mua, dokumentet? Fiksi - Po. Janë thesht një curriculum dhe lista e notave dhe diploma. Po të duhen certifikatat e gjuhës, t’i sjell. Ylli Pango - Kur t’i marrësh, m’i bëj gati edhe ato dhe m’i sjell, mirë? Fiksi – Ok. natën e mirë! Ylli Pango - Natën e mirë! Ciao! marrë nga Top Channel

Ylli Pango bëri librin: Të fshehtat e vajzës që më hyri në shtëpi

Pas nëntë muajsh nga “skandali seksual” i shumëpërfolur në media, ish-ministri i Kulturës YlliPango, vendos të rrëfehet. Jo në media! Ashtu sikurse u fol e stërfol për ditë me radhë, pas emisionit të “Fiks Fare” dhënë në Top Channel marsin e këtij viti. Pangoka dy ditë që ka hedhur në treg një libër. E titullon thjesht “Skandal”! Dhe është një ese e gjatë për moralin shqiptar. “Në një kohë kur gjithë gjakrat e nxehur të moralit të prekur u ftohën, e kam radhën të shprehem unë gjakprishuri”, shkruan diku mes rreshtash Pango, drejtuar shqiptarëve. Si një lloj reflektimi, vetërrëfimi e në fjali të thjeshta dhe plot ironi, Pango tregon gjithë detajet e ngjarjes së kamerës së fshehtë, në mënyrë kronologjike. Është një rrëfim i thjesht, që nis më herët se me kohën e “ditëve të tmerrit” siç e quan dhe vetë Pango. Thashethemet e para që i shkonin në vesh për publikimin e një “skandali të madh” të tij, e bënin të ishte kurioz. Ama si kish ndodhur t’i mendonte gjatë edhe paralajmërimet e kolegëve të tij deputetë, të cilët shumë muaj para skandalit i thoshin: “S’e ke shumë të gjatë”, “Do të të heqin”, “Kanë paguar shumë për ty…”! Është një libër në të cilin ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango ka sjellë versionin e tij të ngjarjes. Telefonatat e njëpasnjëshme nga vajza të rekomanduara ose jo që i kërkonin punë, femra krejtësisht të zhveshura që i shkonin gjatë takimeve në ministri, e së fundmi vajza tjetër, siç e thekson dhe vetë, një ish e njohura e dikurshme që e viziton mbrëmjen vonë në shtëpinë e tij. Janë këto personazhet, e brenda rrëfimit të tij bëjnë pjesë edhe të gjithë ata që me dashje ose jo u bënë pjesë e “Skandalit”, analistë e politikanë, gazetarë, njerëz të thjeshtë që komentuan pro dhe kundër. Pango ka zgjedhur t’i përfshijë në rrëfimin e tij. Veç tyre, nuk harron pa përmendur, traumatizmin e familjes së tij, nënën që i shkoi shumë pranë vdekjes, djalin e shokuar nga gjithë ç’ndodhi, nipin që në shkollë s’e lejonin të vishte bluzën me mbiemrin “Pango”, për mësuesen ishte mbiemër i turpshëm, apo edhe hamendjen e tij për vetëvrasje. Bashkëngjitur esesë së librit, janë botuar dhe një varg i gjatë mesazhesh, nga femra e meshkuj, dashamirës e miq, apo njerëz të thjeshtë që e mbështesin dhe i japin zemër. E veç tyre, në vend të epilogut, miku i tij Xhelal Qello i shkruan një letër nga Parisi. Është ky libri i titulluar thjeshtë, “Skandal” me 152 faqe, që shtëpia botuese “Ideart” ka dy ditë që e ka hedhur në treg.

…Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur rreth 300 vjet më parë…

Ngjarja Atë natë, dikur rreth orës 22, pak para se të nisesha për në emisionin e TV Klan, më merr në telefon ime motër. Pas pak më shfaqet e llahtarisur në derë, për të më thënë se më kishin filmuar dhe të nesërmen do të më nxirrnin në emisionin e famshëm televiziv shqiptar, pa shok në botë, që nën flamurin e ndershmërisë, e luftës kundër paudhësive, filmon e nxjerr njerëz në ekran me figurë e me zë, pa pyetur për kurrfarë të drejte të privatësisë a ruajtjes së imazhit të tyre. Se për çfarë, nuk e dinte, por lajmi i kish ardhur i sigurt dhe nga njerëz të afërt. Pata, natyrisht, shqetësim, por nuk po më kujtohej të kisha bërë ndonjë gjë për t’u filmuar e sulmuar atje. Gjithsesi, jo fort i qetë, u nisa për në emisionin “Opinion”. Debati do të përqendrohej rreth truallit të Kinostudios, okupuar prej shkollës Marubi dhe lirimit të saj, pasi siç qe bërë e ditur, me një vendim qeverie, ky truall do t’i jepej televizionit “Top Channel”, për t’u shpërngulur kësisoj nga Piramida. Aty ku ndërkohë kishin filluar punimet dhe pritej inaugurimi i Teatrit të Ri Kombëtar dhe Muzeut të Artit. Isha paksa nervoz kur hyra në emision, por pastaj siç më ndodhte gjithmonë, më zunë ethet e debatit dhe pothuaj harrova ç’më ishte thënë më parë. Nga reagimet mendoj se opinioni, në një pjesë të mirë, u bind se debutuesi kundër ishte konfuz dhe gabim në tezat që artikulonte. Pas emisionit, ai m’u shfaq sërish përpara makinës tek dera, në terr, teksa dilja nga territori i ish-kinostudios (me sa duket kish dalë pak përpara emisionit) U përkul te xhami i makinës e më tha të dilja të shihja rrethimin me tela të shkollës. Më erdhi vërtet keq. Ishte bërë si i handakosur dhe i ngjiste një fantazme. I thashë përsëri si shumë herë, se nuk kisha unë në dorë të falja troje publike, i rekomandove me dashamirësi të takonte një herë kryeministrin dhe u ndamë….. * * * Nuk e dija se të nesërmen më priste një hall ku e ku më i madh se i tij, që në fund të fundit vazhdonte ta kishte shkollën e tij të paprekur e kërkonte dhe sheshin përreth. Të nesërmen mobilizova veten dhe gjithë miqtë e të afërmit për të marrë vesh se cila ishte gjëma që kisha bërë e që do të transmetohej për mua, por kjo gjë ishte e pamundur. Më thoshin se ishte bllokuar krejtësisht sistemi kompjuterik i televizionit “Top Channel” që e transmetonte atë emision, se së andejmi nuk dilte asnjë lajm, se njerëzit dhe materialet ruheshin me kujdes të madh, etj, etj. Ishte fjala për “peshk të madh”. Ekzekutimit tashmë ishte vendosur. Gjithsesi nga sa munda të marr vesh unë e të mirë, lajmet për përmbajtjen e sulmit ishin kontradiktore. Flitej për lekë, për femra, për fshatra turistikë, po mua nuk më binte kurrë ndërmend të kisha bërë gjë a diçka të ngjashme dhe në një farë mënyre kisha një lloj qetësie, por edhe kurioziteti. Drekuam me disa miq jashtë Tirane dhe aty nga muzgu befas më shkrepi si vetëtima: Mos vallë…? m’u kujtua e njohura ime e hershme, vajza nga fshati që më erdhi para do kohe në shtëpi, një natë të vonë. M’u kujtua edhe fakti se kur doli nga krahu i djathtë, e ndonëse e pyeta për këtë, ajo më tha se e ngiste makinën vetë. U kujtova edhe për dyshimin tim, veshjen e sjelljen e saj tejet provokuese, krahasuar me pamjen e saj të thjeshtë të së shkuarës, përdredhjet e saj… “Të ketë qenë kjo?”. Me shpejtësinë e saktësinë që ka mendja në raste të tilla fillova të kujtoj çdo detaj të së shkuarës së afërt dhe pothuaj u binda. Kjo duhej të ishte, kjo se nuk më kujtohej e nuk kishte asgjë tjetër. Pastaj erdhi nata kur, siç ishte paralajmëruar edhe në gazeta, do të shfaqej “kapja e madhe”, “gjëma”. Njerëzit në të gjithë Shqipërinë, të përgatitur më së miri psikologjikisht edhe nga një njoftim në gazetë, me sytë që u digjnin nga kureshtja, u gozhduan përpara ekraneve dhe panë… Ç’panë?! Gjithsesi panë. Panë një film metrazhshkurtër e me regji të shkëlqyer me pjesën më “horror”, realizuar në shtëpinë time. Në privatësinë time. Aty ku nuk lejohet të xhirosh e të përgjosh njeri në botë. Panë një montazh të përsosur, film të së shkuarës, muzikë këngëtarësh të mëdhenj përdorur në filma porno, pjesët e biseda të mia, qethur me mjeshtëri nga konteksti shumë më i gjerë. Panë buzë femrash e montazhe pa të cilat filmimi im do të dukej i thatë dhe i dyshimtë. Gjithsesi në pjesën e parë ishin pjesë të bisedave të mia me një vajzë provokatore e xhirime me celular të figurës sime me kostum e kollare në ministri. Pa asnjë bazë e akuzë. Pjesa e dytë ishte një filmim me celular i figurës sime duke ngjitur shkallët e shtëpisë dhe pjesë tjetër dialogu im me provokatoren e dytë, mysafiren e pabesë. Zëri i saj i dubluar, paranteza e shtojca nga autorët e filmit për veprime të miat që nuk dukeshin gjëkundi etj. Shkurt ishte sajuar, hequr çdo gjë që do të më lehtësonte e do të bënte që truku të kuptohej më mirë nga publiku e ishte shtuar çdo gjë që do ta bënte ngjarjen tmerruese, të ndyrë, impresionuese për njerëzit. Njerëzit më shumë ndjenë, patën impresionon se panë diçka të tmerrshme, lakuriqe, të pisët, indinjuese. Më llahtar se një film porno me aktorë realë, me keq se një horror i vërtetë. As ish e as e dëgjuar prej kohësh, një hipnozë e tillë kolektive, një sugjestionim masiv i përmasave të atilla. Ishte vërtet një realizim regjisorial, djallëzor dhe me një efekt të paparashikuar për nga përmasat e syerrjes kolektive. * * * Skenari fillimisht kishte Ministrinë e Kulturës dhe ardhjen me rekomandim e me lutje të autorëve të skenarit, të një vajze provokatore, veshur më së miri në mënyrë transparente për realizimin e skenarit. Ajo kërkoi punë, por mënyra e sjelljes së saj, veshja, që në çastin e parë më vuri në dyshim. E thirra në telefon në ministri rekomanduesin njëherazi, skenaristin Filip, për të më sqaruar me dyshimet. E kisha të njohur të vjetër Filipin, dhe veç kësaj vajza vinte e rekomanduar prej tij, madje dhe me makinën e tij. Filipi më tha se nuk ka ndonjë shqetësim, veçse atë vajzë duhet t’ia punësoja patjetër. Gjithsesi me dyshime por u binda disi dhe vajzës diskutohej t’i ofrohej një punë sipas rregullave, madje dhe një tjetër private pa iu kërkuar asgjë, pa asnjë kusht. Por çuditërisht, ndonëse ndërhyrësi ngulte këmbë për ta punësuar, kur vinte puna për të filluar procedurat e punësimit, vajza zhdukej. Pastaj sërish dukej, nëpërmjet telefonave a shfaqjeve të saj në ministri, duke u lutur t’ia jepja patjetër atë vend pune se i duhej. Ishte diçka e habitshme dhe me këtë shpjegohen dhe telefonatat e mia drejtuar asaj, ndërkohë që vajza, duke parë se kjo lojë nuk po jepte rezultat, por ndofta edhe e ndërgjegjshme që ky rol ishte tepër i shëmtuar për të, u tërhoq. Pas këtij dështimi, në lojë hyri vajza e dytë, që siç u pa më vonë, ishte e një niveli më të ulët. Ajo, siç u vendos nga skenaristët, si fillim më merrte në telefon e fliste në rolin e vajzës së parë, pasi kjo ishte tërhequr e loja kishte ngecur. Më pas kur edhe ky rol nuk dha gjë, ajo u porosit të shfaqej në ministri. Më pas të futej e të përgjonte deri në shtëpinë tim, në shtëpinë e njeriut me imunitet. Kjo vajzë veç të tjerash, ishte e njohur prej vitesh prej meje. Ajo kish qenë dikur në një Kafaz të Artë, nga këta që u përhapën më vonë rëndom tek ne, si imitacion i Big Brother. E kisha përkrahur atje, si një vajzë të varfër, ardhur nga provinca, kisha pasur për këtë përkrahje edhe falënderimet e nënës së saj. Më vonë më kish ardhur edhe në Fakultet për të kërkuar të drejtë studimi, gjatë kohës kur unë isha dekan. Kur e pashë te hyrja e ministrisë nuk e njoha. Qe veshur tebdil, me dekolte e varëse e xhingla të shumta. Më vonë në takimin e dytë, më ra ndërmend cila ishte. Kishte rënë nja 20 kile në peshë dhe ishte transformuar nga një vajzë e thjeshtë provinciale, në një gocë qyteti, me veshje ekzibicioniste të ekzagjeruar, që të shtynte të mendoje për jetën e saj edhe për më tej. U rinjohëm si të thuash, rikujtuam periudhën e Kafazit, takimet e tjera dhe e lamë të më sillte dokumentet e saj. E lamë të mi sillte një ditë pasdite, në ministri. Nuk u duk siç i thashë, rreth orës 6 pasdite, por mesa më kujtohet më mori në telefon kur sapo ishte kthyer në shtëpi, diku rreth orës 8:30 dhe teksa i thosha se isha i lodhur dhe se fajin e kishte vetë se nuk kish ardhur në zyrë, më shfaqi gatishmërinë të vinte e të mi sillte. Të tjerat u shfaqën në ekran. Erdhi sërish, gjysmë e zhveshur, më provokoi. Më pas, pasi nuk mori asnjë iniciativë të ikte se nuk i mbushej as asaj mendja që e kish realizuar detyrën siç duhej, sipas instruksioneve të ustallarëve. (I thashë vetë se mund të shkonte). Kishte të drejtë. Në të vërtetë nuk ndodhi asgjë. Doli siç hyri. E qetë, madje këmbëngulëse për të biseduar më shumë. Por për ustallarët kaq mjaftonte. Të tjerat i rregullonte regjia. Vajza e dytë, vajza provokatore, ishte e njohur, të linte të mendoje se provokonte, por ndërkohë njohja e hershme të bënte të ndërtoje edhe një raport tjetër, atë të viteve më parë kur për hir të këtij fakti kishte njohje dhe intimitet dhe njëlloj si atëherë, meqë vinte nga fshati, duhej ndihmuar. Kështu pra u arrit të provokohej, e më pas të transmetohej një skenë ku nuk kishte as seks, as skandal seksual, por veç një bisedë të provokuar, që u krye me një vajzë të njohur më parë. As asaj dhe asnjërës prej vajzave nuk iu kërkua e as nuk iu premtua kurrë ndonjë gjë në këmbim të seksit, siç u mundua të paraqitej në pamjet e paraqitura në mediat e shkruara që gjëmuan me fyerje e sajesa. * * * Tani që rixhiroj filmin e kësaj pjese të tmerrshme të jetës sime mbrapsht, kujtohem se ka pasur dhe një femër tjetër ardhur pothuaj në të njëjtën kohë, përsëri dërguar nga Filipi, për të aplikuar gjoja për një projekt artistik. Gjithashtu veshur në mënyrë provokative. Një femër që e dërgova te sektori i projekteve pasi më erdhi dy tri herë me disa letra gjoja projekte me lutjen e Filipit, nga pas për ta ndihmuar. Ndoshta para saj ka pasur dhe një femër të katërt. Historia ka filluar hershëm, është ndjekur me këmbëngulje, që kur një deputet demokristian më tha tetë muaj para ngjarjes: “Duan të ta fusim me femra, i kanë paguar mirë. Edhe 20 mijë 30 mijë euro mund t’i paguajnë”. Shikoni ç’skenar i ndyrë dhe ç’këmbëngulje për ta realizuar me çdo kusht atë. Padyshim që prapa realizuesit dhe poshtërsisë së tij, ka pasur duar të fuqishme që prej kohësh që kërkonin të më rrëzonin edhe me mjete të tjera. Një hetues i zoti do të nxirrte “perla” nga kjo histori. Ja pse them se historia ka filluar shumë më herët sepse gjithnjë më vinin sinjale që “nuk e kisha të gjatë” që “do më hiqnin”, që “isha vetëm e pa klan”, etj. Por ky skenar kishte në bazë e ishte ndoshta edhe finalja e një historie të filluar kohë më parë, pas konflikteve të vazhdueshme me televizionin “Top Channel” për lirimin e Piramidës e për ta kthyer atë në teatrin më të madh e më të bukur që kishin pasur shqiptarët, që nga koha e formimit të shtetit të tyre të parë. Pas mbi 60 vjetësh me një teatër që ngrihej mbi një godinë të amortizuar. E kjo duhet hetuar. * * * Tani pas kaq kohe kur munda të gjej kasetat origjinale, ju lutem, sado me vonesë ndiqeni më tej historinë… Ndiqeni dhe shihni se si një tjetër vajzë vinte e më takonte, një tjetër më fliste në telefon. Si në një roman me detektivë. Shihni që të kuptoni se kjo është historia e një provokimi e më pas e një mashtrimi. Shihni se si vajza e dytë e shfrytëzon faktin që më njihte për të pasur tek unë akses, ndërkohë që pohon vetë “se kishte shumë zor të më takonte”. Shihni se si merrte në telefon në rolin e së parës. Shihni në youtube të përmbledhura rreth 20 orë kaseta, a thua se po kapej banditi a skandali i shekullit. Shihni se si vajza provokatore hutohet e i kërkon ndihmë regjisorit, kur provokimet e para karshi meje i dështojnë. Kur kërkon të më takojë natën e i them se nuk kam kohë. Shihni e kuptoni se ajo çka u transmetua ishte stisje, montazh, kurse e vërteta se si mund t’i qepesh një njeriu duke i kërkuar deri “të bëjë Krishtin në shtëpinë e tij” është thelbi i kësaj historie të ndyrë. Në kasetën origjinale të “Top Channel”-it, që tani mund të shihet edhe në youtube dëgjohen bisedat në makinë që kanë rrethuar shtëpinë time në kulmin e aksionit të madh provokues. Një nga pjesëtarët e grupit komplotues i thotë tjetrit:”A ja ka hyp ai tani?” Dhe tjetri: “po ajo për atë punë ka shkuar”. Mendoni tani sa bukur vihet në provë morali. E paparë. E padëgjuar. *** Shumë interesa dhe urrejtje personale, janë bashkuar kundër meje, në këtë rast. Mjaft armiq. Politikë, mediatikë, personalë, biznese të mëdha. Prandaj kam thënë se me atë që ndodhi fituan të gjithë. Me mua fituan “ të gjithë” (atë që mund të fitonin në politikë e media, jo njerëzit e thjeshtë). Fitoi opozita e disa nga pozita, fitoi media e bosët e saj, gazetarët që në disa raste u paguan shtrenjtë, si Blendi atë natë kur u shfaqa unë në “TV Klan” i dërrmuar (më thanë se mori 15 milionë), fitoi “Top Channel” e fiksi që e shpalli këtë kulmin e lavdisë së vetë. Fituan armiqtë e mi personalë, që e ngritën një dolli lumturie, fitoi vajza që mori dy milionë (nëse i mori). Humba vetëm unë. Viktima e vetme isha unë e familja ime që u shkatërruam, u traumatizuam, u sakatuam e u vramë jo si të ishim njerëz por qen të egër.

* * * …Në rreth 10 ditë skëterre mbi mua u hodhën tonelata llumi njerëzor, sharjesh, shpifjesh pa fund. Llumi i moralit fals shpërtheu nga qindra kanale e mijëra vrima ujërash të zeza a qoshesh të errëta të nënvetëdijes njerëzore. Goditja ishte politike, mediatiko-politike, por edhe personale, e lidhur me ambicie, zilira, urrejtje a shpagime mediokre. …Monstër, përbindësh, shkërdhatë…! ulërinte më i zellshmi i mediabërësve. Kishin të drejtë. Nuk kisha bërë pak. Kisha “prekur”, një jelek, jelekun e nderit, çerekjelekun, jelekun e vockël të moralit shqiptar. “Mbërtheckat, mbërtheckat!”, këlthiste rioshi shqiptar me pretendime në politikë, Erion Lejfeni. (Pse jo, në mendje i shkonte, hapja e një biznesi të ri e të suksesshëm mbërtheckash). Politikani flokëbardhë Pa-Boshti dhe politikani tashmë plak, Dhelpra, atë natë nuk fjetën gjumë, duke çuar nëpër mend rendjet e tij pa fund pas vajzave të zarzavateve. …Media “morale”, mbrojtëse e moralit mbitokësor, realizoi një provokim kastigim shembullor, gati vrasës, që u kurorëzua deri në kërkesë për vetëvrasje. Unë, i provokuari, kisha prekur kopsat a mbërtheckat e një jeleku, a një fije jeleku, një natë vonë, në shtëpinë time. Kurse ata prekën e i hoqën koren një m… që binte erë, një moçali, një morali fals që kutërboi ditë të tëra hipokrizi, falsitet, hakmarrje e poshtërsi. * * * Ndërkohë në shtëpinë tonë, e ashtuquajtura “Vila Pango”, me katër familje brenda saj, nëna ime, motra me familjen, nipi e mbesa me familjet e tyre, kishte rënë murtaja dhe njerëzit lëviznin si hije. Im bir, në Itali, ende student i vitit të parë, ende me stresin e homesickness, sëmundjes së shtëpisë (e para herë që ndahej nga familja) mori dhe këtë goditje tjetër të papërballueshme. Për moshën dhe gjendjen e tij shpirtërore. I ati po shfaqej e denigrohej në media, facebook, madje përmendej dhe nga mediat italiane, franceze e gjermane, turke, deri kineze, ku skenari kish parashikuar si në shumë media të tjera ndërkombëtare përçimin e lajmit për “skandalin” seksual Pango. …Një baba që ndiqej prej tij si model dhe sa çel e mbyll sytë trajtohej si kriminel. Im bir u mbyll në vetvete dhe mezi fliste. Shpeshherë nuk i hapte telefonin as së ëmës, as gjyshes së vet. Komunikonte vetëm me mua dhe më thoshte se donte të vinte në Shqipëri, të më ishte krah, më premtonte se kurrë nuk do më ndahej. Im bir më kish ndjekur gjithnjë si idealin e tij. Ndërkohë personazhi kryesor “krimineli” Pango, mbi bazën e rekomandimeve mediatike e kaloi ashtu një herë rastësisht nëpërmend vetëvrasjen. * * * …Të nderuara nëna, motra, gra vajza. A e dini kush është pra, pasoja e rëndë morale në dëm të femrës shqiptare, pash këtij akti të pashembullt provokativ? Një femër e dyshimtë në moral (jo si ju), ka marrë 2 milion lekë shpërblim për provokim dhe shkatërrimin e jetës së një njeriu. Thuhet se ka blerë një makinë e bredh nëpër Tiranë e diku. Nuk ja dhashë unë. Ia dha media e madhe, mbrojtësja e moralit. Të dashur bashkatdhetarë! U prek një jelek? Më saktë ca kopsa a mbërthecka që u bënë të famshme? Një cipë jeleku? Jo. U prek gjoja morali. Moralit iu hoq cipa. Kudo mbi dheun tonë kutërboi era e keqe. Një histeri kolektive shpërtheu. Një indinjatë e paparë. Sa shumë u shkrua e u fol. Njerëzit harruan punët, hallet e punët e përditshme e u morën aq gjatë me mua. Në thelb ç’ndodhi: Një njeri ishte në jetën e tij, përpiqej, punonte. Një ditë të bukur iu stis një intrigë e ndyrë- U provokua. U linçua. U shkatërrua. O Perëndi! U kërkoj sërish falje të gjithëve që u dhashë tërë atë frymëzim. Nuk do ta kisha bërë kurrë. Por në fakt nuk bëra gjë, ma bënë. Tani është radha ime.

KOMENTE