English

Bashkia E Korçës Pezullon Punimet Për Ndërtimin E Unazës Së Qytetit

- Dega e PD-së akuzon kryebashkiakun Niko Peleshi për pengim të investimeve në ndërtimin e infrastrukturës së qytetit të Korçës - KORÇË, 18 Qershor/ATSH- Behar Fejzulla/- Bashkia e Korçës gjobiti sot me 5 milion lekë firmën që po zbaton punimet për ndërtimin e lotit të katërt dhe të fundit të Unazës së Korçës si dhe ka pezulluar punimet. Kjo masë, sipas zëdhënëses së shtypit të bashkisë, Benila Tërrova, është ndërmarrë nga kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, nëpërmjet inspektoriatit ndërtimor urbanistik dhe policisë bashkiake, për shkak se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve Nacionale, që është investitor i këtij projekti, nuk ka marrë leje ndërtimi dhe firma zbatuese nuk ka lidhur kontratë me bashkinë dhe nuk ka paguar taksën prej 2% të ndikimit në infrastrukturë, që për këtë projekt kap shifrën e 22 milionë lekëve. Ndërkohë, zëdhënësi i degës së Partisë Demokratike të Korçës, Andi Pllaha, në një konferencë për shtyp ditën e sotme, ka akuzuar bashkinë e Korçës dhe kryetarin e saj, Niko Peleshi, për pengim të investimeve në ndërtimin e infrastrukturës së qytetit të Korçës. Ai tha se firma zbatuese ka leje ndërtimi dhe se kundërvënia e bashkisë bëhet për shkak se këshilltarët demokratë, që kanë shumicën në këshillin bashkiak të Korçës, nuk e kanë lejuar Peleshin që të zbatojë një projekt për rikonstruksionin e qendrës së qytetit pa miratimin e KRTSH-së. Ndërtimi i Unazës së qytetit të Korçës ka filluar tre vite më parë, sipas një projekti të hartuar dhe financuar me rreth 4 milion euro nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve Nacionale. Ky projekt, ka qenë i ndarë në katër lote, tre prej të cilëve kanë përfunduar. /s.s./
KOMENTE