Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ndryshimet Në Taksat E Makinave Synojnë Demotivimin E Qytetarëve Për Të Blerë Makina Të Vjetra
English

Ndryshimet Në Taksat E Makinave Synojnë Demotivimin E Qytetarëve Për Të Blerë Makina Të Vjetra

TIRANE, 19 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/. - Sa më e vjetër të jetë makina, aq më e madhe është taksa e importimit. Ky është koncepti i ri që sjell ligji "Për taksat e automjeteve", i cili pritet të hyjë në fuqi në fillim të muajit korrik dhe në vetvete synon të krijojë një demotivim të qytetarëve për të importuar automjete të vjetra, për shkak të çlirimit të karbonit në mjedis. Mbajtja e taksës pikërisht në momentin e importimit vjen për shkak se në Shqipëri importohen makina me vite të konsiderueshme përdorimi kryesisht nga vendet e BE-së. Për këtë arsye, duke e mbajtur këtë taksë në import, qytetarët dekurajohen që të importojnë e të përdorin makina shumë të vjetra. Përveç pagimit të taksës në momentin e importimit, kjo taksë do të kreditohet për çdo shitje që do t'i bëhet kësaj makine të përdorur në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky është pikërisht ndryshimi kryesor dhe esencial i formulës së taksimit të mjeteve të përdorura në Shqipëri. Në ligjin aktual, ne kemi taksën e mjedisit, e cila përbëhet nga dy komponentë: taksa e karbonit për benzinën, gazoilin dhe naftën dhe taksa e importimit të makinave të përdorura. Në momentin e importimit do të paguhet një taksë e caktuar, e cila është e llogaritur në bazë të formulës: taksë fikse herë cilindrat herë llojin e karburantit me koeficientin e përdorimit. Është bërë një ndarje për autoveturat, meqenëse janë ndotëse të ambientit: koeficienti i viteve të përdorimit është 0,5, ndërsa për të gjitha llojet e mjeteve të tjera të transportit që përdorin lëndë djegëse, si naftë ose benzinë, koeficienti i përdorimit është 0,25. Gjithashtu, duke ruajtur parimin kryesor që taksimi i mjeteve të transportit, kryesisht, të përdorura, bëhet në funksion të mbrojtjes së ambientit, për shkak të emetimit të Co2 të tyre në natyrë, është bërë edhe ndarja e llojit të karburantit që përdoret. Në rastin e përdorimit të benzinës, e cila është më pak ndotëse, taksa fikse është 20 lekë, kurse në rastin e përdorimit të naftës, që është karburant më ndotës, taksa fikse është 25 lekë. Ekspertë të ekonomisë shprehen se "mënyra ideale do të ishte vendosja e aparaturave, të cilat do të matnin emetimin e Co2-it dhe në bazë të kësaj matjeje të vendosej taksa në lidhje me sasinë e Co2-it që emetohet në ambient". Duke qenë kështu, sipas tyre, qeveria është e detyruar të vendosë një taksë, e cila e mbron ambientin. Drejtorja e politikave fiskale në ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, shprehet se secili vend i Bashkimit Europian ka mënyrën e tij të taksimit dhe të gjithë përdorin taksë fikse dhe koeficientin e viteve të përdorimit. Kjo është standarde për të gjithë, por ato kanë edhe bazën e amortizimit. "Unë e kam parë tabelën e mënyrës së taksimit të 27 vendeve të BE-së dhe janë më të larta", deklaroi ajo. Për tre vjet radhazi kjo taksë ka qenë gjithmonë një ndër elementet kryesore që është diskutuar në tavolinat e Komisionit Europian, për vetë natyrën, sepse taksa e importimit të mjeteve të përdorura ka përbërë një thyerje të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe më konkretisht të nenit 21 "Diskriminimi fiskal". Ndaj dhe sipas Dyrmishit, qeveria duke rritur taksën e importimit synon të demotivojë qytetarin për të përdorur një makinë më të vjetër. Një ndryshim tjetër në këtë projektligj ka të bëjë edhe me tarifën e automjeteve të huaja, të cilat vijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe për 60 ditë qëndrimi është 1 euro, nëse do të kalohen mbi 60 ditë paguhet 1 euro në ditë. Por, në funksion të lehtësimit dhe të uljes së barrës fiskale në këtë projektligj është propozuar heqja e tarifës së shërbimit për automjetet e huaja dhe falja e detyrimeve të prapambetura për të gjithë pjesën e tarifës së shërbimit 1 euro, e cila nuk është paguar në momentin kur subjekti merr targat shqiptare dhe lejen e qarkullimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Ndryshime të tjera janë të diktuara gjatë zbatimit në praktikë të ligjit "Për taksat kombëtare". Konkretisht nëse më parë, kryhej kontrolli teknik edhe periodik i mjeteve, tani kryhet kontrolli vjetor i detyrueshëm i mjeteve, e cila përcakton edhe momentin se kur duhet të paguhet taksa e qarkullimit vjetor. Do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, e cila do të bëjë mbledhjen e kësaj takse, pra do të funksionojë si agjent tatimor dhe nuk do të ketë një komision përkatës. Në Shqipëri janë 250 mijë mjete transporti, të cilat janë aktive dhe paguajnë taksa, nga të cilat mesatarisht mosha mesatare e vjetërsisë së tyre është 17 vjet përdorimi. Faktikisht kemi një dyndje të madhe të mjeteve të transportit, të cilat janë shumë të vjetra dhe ndotëse të ambientit. Bashkimi Europian që nga viti 2005 është duke adaptuar një politikë të re mbi taksimin e makinave, duke e lidhur me emetimin e CO2-shit në natyrë. Mënyra e formulimit është e njëjtë. Është cilindrat, taksë fikse, që shumëzohet me koeficientin e viteve të përdorimit, por ata përdorin dhe koeficientet e amortizimit të kësaj takse. Këtë rrugë kërkoi të adoptonte edhe ministria e Financave, por nuk u arrit për momentin, për shkak të mungesës së kapaciteteve, ndaj u gjet një formulë e ndërmjetme. Madje, shprehet Dyrmishi, ekspertë të Komisionit Europian në komentin që kanë dhënë për këtë projektligj, shprehen se " meqenëse Shqipëria është në këtë fazë, pra, që nuk është anëtare e BE-së, mund të procedojë me këtë formulë të taksimit të mjeteve të përdorura dhe ndërkohë të rriten edhe kapacitetet që në momentin e anëtarësimit në BE ne të lidhim taksën e makinave të përdorura me parametrat e emetimit të CO2-shit". Aktualisht në Shqipëri kemi taksën vjetore të qarkullimit rrugor, e cila është taksë e përvitshme. Kemi edhe taksën e mjeteve të përdorura, e cila është në import dhe me formulën e re kreditohet me shitjet brenda vendit. Në bazë të ligjit aktual, kur regjistrohet për herë të parë, mjeti paguan taksën vjetore. Gjatë zbatimit në praktikë ka pasur shumë qytetarë që e regjistronin makinën në muajt e fundit të vitit, për shembull, gjatë muajit dhjetor. Në bazë të ligjit aktual, ai qytetar për regjistrimin e parë do të paguante taksën e plotë, njëlloj sikur ta kishte të regjistruar që në fillim të muajt janar dhe janarin e vitit pasardhës do të paguante taksën vjetore të qarkullimit rrugor. Për të ulur barrën fiskale për qytetarët, është përcaktuar, që në momentin e regjistrimit të parë të mjetit, pra në qoftë se do ta regjistrojnë në fund të muajit dhjetor, ata nuk do ta paguajnë taksën e plotë. Pra, nëse taksa mund të jetë 14 mijë lekë, ai do të paguajë, në mënyrë proporcionale, për pjesën e mbetur të vitit. Ky është përfitimi kryesor i qytetarëve, sepse brenda muajit janar do të paguajë përsëri. /s.s./
KOMENTE