English

Okb - Ratko Mlladiç Mendohet Të Jetë Gjallë

NJU JORK, 18 qershor /ATSH-AFP/ - Ratko Mlladiç, i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, TPI, për ish-Jugosllavinë për gjenocid dhe i cili ndodhet në arrati, mendohet të jetë gjallë, njoftoi sot prokurori i TPI-së, Serge Brammertz. "E bazojmë punën tonë në hamendësimin se ai vazhdon të jetë gjallë", deklaroi Brammertz për shtypin, pasi ka dhënë llogari përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së për veprimtari të shërbimeve të tij. "Jemi të bindur se ai vazhdon të fshihet në rajon", bëri të ditur ai, duke theksuar se nuk ekziston asnjë zgjidhje tjetër për ish-shefin ushtarak të serbëve të Bosnjes përveç arrestimit të tij. Por, ai nuk pranoi të jepte detaje, për të mos kompromentuar përpjekjet e forcave serbe të sigurisë për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ratko Mlladiç akuzohet nga TPI-ja me bazë në Hagë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sidomos për masakrën e rreth 8 000 burrave dhe adoleshentëve myslimanë në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Familja e tij kërkoi këtë javë që ai të deklarohet i vdekur, duke u shprehur se nuk ka asnjë gjurmë të tij që prej vitit 2003. Por autoritetet serbe shprehen se kanë patur të dhëna për praninë e tij në Serbi deri në vitin 2007. /I.Pu.
KOMENTE