English

Përkujtohet 100-Vjetori I Pianestes Lola Gjoka

TIRANË, 19 Qershor/ ATSH- S. Daci/.- Artistja e madhe shqiptare, Lola Gjoka, një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor për vetë rolin e madh që ka luajtur në konsolidimin e institucioneve të para artistike shqiptare si dhe përkushtimin në formimin e artistëve të rinj, u përkujtua dje në një pasdite të organizuar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në 100 vjetorin e lindjes së saj. Nëpërmjet materialeve vizuale, kujtimeve dhe përshëndetjeve, miqtë, të afërmit, artistët, ndanë kujtimet nga bashkëpunimi dhe interpretimi me mjeshtren e pianos, "Artisten e Popullit", Lola Gjoka. Në 100 vjetorin e lindjes së pianistes Lola Gjoka, organizatorët e edicionit të VI -të të konkursit ndërkombëtar të zërave lirikë "Jorgjie Truja", mbajtur më 22-25 maj, menduan se homazhi për këtë artiste të mbetur në memorie si e jashtëzakonshme, e cila pa kurrfarë hezitimi mund të quhet ndër iniciatoret e klasës pianistike shqiptare, të jepej edhe çmimi special "Lola Gjoka" për interpretimin më të mirë të këngës artistike popullore. Për këtë pianiste është thënë pothuajse gjithçka. Janë botuar të plota partiturat e 52 këngëve të saj, të mbledhura dhe përshtatura nga vetë pianistja, që konsiderohet një almanak kulturor për këngëtarët e rinj. Përmbledhja e partiturave e njohu vonë botimin, në raport me vitin kur u nda nga jeta, 1985-ën, por nën kujdesjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dolën në dritë disa këngë të njohura për publikun si "Dashnor t'u bana", "Dola n'penxhere", "Karajfilat që ka Shkodra", "Kënga e Emines", "Kënga e Rexhës", "Kjo dashnia qoft mallkue", "Kroi i fshatit ton", "Pranvera filloi me ardh", "Shamia e beqarit", etj. Këto këngë, të cilat kanë pasur kulmin e njohjes prej shqiptarëve të viteve '30-të, këndoheshin në të gjithë vendin. Për këtë album mjeshtri i dirigjimit, Zhani Ciko, është shprehur se "këto këngë janë, veç të tjerash, një repertor i pazëvendësueshëm dhe unikal për këngëtarët e rinj, nxënës dhe studentë, të cilët do ta transmetojnë më tej këtë trashëgimi të kulturës muzikore me vlera të papërsëritshme". Lola Gjoka u lind në Sevastopol (Krime-Rusi), më 22 Maj 1910, dhe vdiq në Tiranë më 6 tetor të vitit 1985. Shkollën e përgjithshme e kreu në qytetin e lindjes, ku studioi për piano dhe për dance, në klasën e Karallova-s. Kthehet në atdhe (në Korçë) në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Filçe (Truja), Thoma Bezhanin e Llambi Turtullin debuton në koncertin e parë profesionist në kinema "Majestik" në Korçë. Në vitet 1933-1934 jep një sërë koncertesh si soliste e koncertmaestre e këngëtarëve Tefta Tashko Koço, K. Antoniu, Marie Kraja, K.Koço e Mihal Ciko. Vlerësohet me fletë nderi në konkursin pianistik në Vjenë të Austrisë në vitin 1933, ku shquhet për debutimin e saj, dhe po atë vit emërohet nga Hil Mosi mësuese e pianos dhe e valles në Institutin Femëror "Nëna Mbretëreshë" në Tiranë. Përfundon me pikët më të larta studimet e larta si pianiste koncertiste në Athinë. Së bashku me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën dhe Marie Krajën, merr pjesë në Fiera-n e Firences, si përfaqësuese të artit shqiptar në vitin 1938. Jep koncertin e parë pas çlirimit nga okupatorët nazi-fashistë në vitin 1945. Lola Gjoka është një ndër të parat mësuese të pianos të shkollës së parë muzikore shqiptare, Liceut Artistik. Në vitin 1953 emërohet koncermaestre e grupit lirik në Filarmoninë Shqiptare të sapokrijuar, ku kontribuon për vënien në skenë të mjaft veprave të kulturës botërore, edhe si as/regjisore. Pas hapjes së Teatrit të Operës luan një rol të rëndësishëm artistik në repertorin e gjerë operistik të asaj kohe. Me hapjen e Konservatorit të Tiranës, në vitin 1962 emërohet pedagoge e pianos dhe koncertmaestre e klasave të specialitetit të kantos, duke mos iu ndarë aktivitetit koncertor edhe jashtë vendit si: në Rusi, Kinë, Hungari, Kubë etj. Merr titullin "Artiste e Merituar" për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966, dhe titullin "Artiste e Popullit" në vitin 1978 për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, "Rusalka" dhe "Ivani Susanjin". Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale, e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues. Me elegancën edhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e Majit 1978. /s.s./
KOMENTE