English

Policia/ Operacioni "Kancelari", Në Pranga Dy Punonjës Të Gjykatës Së Korçës

TIRANË, 20 Qershor/ ATSH/- Dy punonjës të Gjykatës së Korçës u vunë sot në mëngjes nën pranga me akuzën e korrupsionit. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku në një konferencë për shtyp sot, tha se, "në kuadër të operaciont të koduar "Kancelari" u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Arben Hoxha, vjeç 51 banues në Korçë me detyre shef i personelit të institucionit të ekzekutimit të veprës penale si dhe ndalimi i shtetasit Shkëlqim Kajmaku, vjeç 52 banues në Korçë me detyrë kancelar i gjykatës së Korçës". Ajo tha se, "këta shtetas akuzohen për veprën penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 259 dhe 25 të Kodit Penal". Sipas saj, "shtetasi Arben Hoxha është kapur në flagrancë nga strukturat e policisë pasi i kishte marrë shumën prej 500 mijë lekë një qytetari në këmbim të nxjerrjes më shpejt të një vendim-ekzekutimi për një çështje civile, që e kishte nxjerrë kancelari i gjykatës, Shkëlqim Kajmaku". "Në momentin e ndalimit të tyre, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma prej 500 mijë lekë, vendimi i gjykatës dhe dokumente, që vërtetonin shkelje ligjore të kancelarit të Gjykatës", tha zëdhënësja Totraku. Strukturat e policisë do të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e fakteve për shkeljet lidhur me me nxjerrjen e këtij vendimi nga gjykata e rrethit të Korçës, ndërsa materialet proçeduriale në ngarkim të shtetasve i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë të rrethit gjyqësor Korçë, tha Totraku. /s.d//n.m/
KOMENTE