English

Soft News/ Durrës: Plazh Nën Hijen E . Anijes "Emelia"

DURRES, 20 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Pushuesit e sektorit "Apollonia" në plazhin e Durrësit këtë sezon veror kanë nisur të bëjnë banjo dielli dhe uji nën hijen e . anijes 5000-tonëshe "Emelia"!. Qindra plazhistë vendas dhe të huaj tashmë po mësohen me praninë e anijes gjigande, e cila me praninë e saj do t'i bëjë "konkurencë të pandershme" varkave prej plastike, ose atyre me këmbëza, (pedalo), që përdoren më së shumti për shëtitje nga fëmijët dhe të rriturit. Anija "Emelia" ngeci në cektinën prej rëre të plazhit pas stuhisë detare që përfshiu gjirin detar të Durrësit një muaj më parë, kur u rrezikua shkëputja nga spiranca edhe e mjaft anijeve të tjera tregtare në radën portuale. Që prej një muaji, specialistët e ndërmarrjes së mjeteve detare në bashkëpunim me pronarët e anijes "Emelia" janë përpjekur ta shkëpusin nga rëra me ndihmën e rimorkiatorëve dhe dragave thelluese, por deri tani, pa sukses. Një vit më parë në të njejtin vend ngeci një anije e vogël tregtare, e cila gjatë stinës së dimrit u pre për hekurisht skrap. Plazhi i Durrësit është më i frekuentuari në shkallë vendi, ku gjatë muajve korrik dhe gusht numri ditor i pushuesve i kalon disa qindra mijë vetë./n.m/
KOMENTE