English

Adem Demaçi: Pas Kosovës, tani është radha e zgjidhjes së çështjes çame

Tiranë, 22 Qershor, NOA – Drejtuesi legjendar i rezistencës në Kosovë, Adem Demaçi, deklaroi se tashmë ka ardhur radha e çështjes çame për t’u zgjidhur sa më shpejtë dhe në mënyrë efikase nga pala greke.

“Askush më mirë se shqiptarët e Kosovës nuk mund ta kuptojë dhimbjen tuaj”, ka theksuar Demaçi, në fjalimin e tij me rastin e shënimit të Javës së Kulturës Çame në Tiranë.

Sipas tij, nuk duhet gjithashtu të vëmë fajin mbi popullin e sotshëm grek për atë që bënë një pjesë e paraardhësve të tyre.

"Por, me çdo kusht, me mjete të kohës së sotshme, duhet që të kërkojmë të drejtat tona, me mjete të cilat mbështeten nga aleatët tanë të mëdhenj evropian e përtej Atlantikut”, ka theksuar Demaçi.

Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi gjatë fjalës së tij përshëndetëse falënderoi të pranishmit për ndihmën që kanë dhënë për zgjidhjen e çështjes çame dhe deklaroi se kultura çame është ambasadori më i mirë i kësaj çështjeje.

“Të gjithë e mbajmë mend vitin 1971, kur një këngë u dëgjua në televizion; Kënga e Çelo Mezanit. Nga atëherë muzika e krahinës së Çamërisë u bë një ambasador i fuqishëm për çështjen çame, fituesi i një beteje për mos-zhdukjen e saj. Edhe sot, kjo këngë e re me vargjet e bilbilit të Çamërisë, Bilal Xhaferrit vjen fort për të fituar edhe një betejë. Rroftë Çamëria! Rroftë Shqipëria!” – tha Idrizi.

Gjatë javës në vijim do të ketë një sërë aktivitetesh, si pjesë e Javës Kulturore Çame, e cila finalizohet më 27 qershor me marshimin, tashmë të përvitshëm, të mijra çamëve dhe jo vetëm në Qafë-Botë të Sarandës, për të përkujtuar gjenocidin ndaj popullsisë shqiptare të viseve të Çamërisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të rëndësishme të hapësirës mbarëshqiptare, si Adem Demaçi, Sabri Godo, Pëllumb Xhufi, Dhori Kule, Agim Doçi etj, krahas organizatorëve të ceremonisë që shënoi nisjen e javës çame.

NOA-INA

KOMENTE