English

Basha: Shqipëria Ka Përmbushur Kërkesat Për Liberalizimin E Vizave

TIRANË, 22 Qershor/ATSH- Mira Shkurta/. - Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e kërkuara nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave. Deklarata erdhi nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në takimin e organizuar paraditen e sotme në Hotel "Tirana International" me pjesmarrës vende anëtare të Iniciativës Rajonale për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët (MARRI). Qeveria shqiptare, tha Basha, ka përmbushur edhe kërkesën më të fundit të KE-së për të riatdhesuarit dhe ka ndjekur një strategji të plotë për ta, duke përfshirë edhe kostot financiare "Qeveria shqiptare ka miratuar një strategji të plotë dhe të gjithanshme për riintegrimin e të rikthyerve, së bashkë me plan veprimin dhe kostot përkatëse financiare, duke mbyllur në mënyrë të plotë këtë detyrim të ri të paraqitur Shqipërisë në maj të këtij viti nga Komisioni Europian", tha Basha. Ai u shpreh gjithashtu për përcaktimin brenda një kohe të shkurtër të një kalendari për arritjen e "Shengenit ballkanik", lëvizjen e lirë të qytetarëve të gjithë vendeve të Rajonit, pa bariera administrative, kufitare dhe tarifore. Sipas ministrit të Brendshëm, prioritet madhor mbetet edhe forcimi i kontrollit të kufirit për një Rajon me kufi të papenetrueshëm nga krimi transkufitar dhe transkombëtar, një rajon i cili eksporton vetëm siguri drejt vendeve të BE. Në këtë takim, si të rëndësishëm Basha vlerësoi edhe shkëmbimin pa asnjë pengesë të të dhënave mbi emigracionin në secilin prej vendeve të Rajonit, për të siguruar një databazë të përbashkët mbi të gjitha fenomenet e migracionit me të cilat përballen vendet e Rajonit, duke garantuar mbështetje të plotë për krijimin e tij. Ambicje dhe projekt rajonal, sipas tij, mbetet edhe thellimi i praktikës së kontrollit të Kufirit Blu nëpërmjet rajonalizimit të eksperiencës së Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, që operon në Durrës. Për ministrin e Brendshëm, liberalizimi i vizave, i mundësuar për disa vende përfituese gjatë vitit 2009, nga e cila pritet që të përfitojnë së shpejti edhe vendet e tjera të Rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, mbart edhe përgjegjësitë për vendet e rajonit, të cilat duhet t'i përgjigjen me një shkallë angazhimi dhe me vendosjen e praktikave analoge me vendet "Shengen", përsa i përket përmirësimit të kufijve, migracionit, luftës kundër krimit dhe trafiqeve. Ne fund, Basha i drejtoi pjesëmarrësve në këtë takim, një lutje miqësore për të rikonsideruar praninë e Kosovës në forumin "MARRI", në mënyrë që kjo përqasje të jetë sa më gjithë- përfshirëse dhe pa asnjë paragjykim ndaj pozicioneve të ndryshme që vendet anëtare kanë përsa i përket pavarësisë së Kosovës. "Përsëris lutjen në emër të Presidencës Shqiptare dhe në emër të Qeverisë secilit prej vendeve tuaja, si dhe Komisionit Europian, për një përfshirje të Kosovës në këtë forum, në mënyrë që problemet që ne trajtojmë, të cilat janë probleme të përbashkëta, të trajtohen edhe në kuadrin e territorit të këtij vendi", përfundoi Basha. Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan, i pranishëm në këtë takim, vlerësoi angazhimin e Shqipërisë, e cila ka edhe Presidencën e "MARRIT", për të krijuar kushtet për të hequr pengesat e lëvizjes së lirë në Rajon për krijimin e një zone të Shengenit Ballkanik, qe padyshim që mund të quhet ambicjoz. Sigurisht, tha ai, që ekziston një forcë logjike që shumë shpejt, qytetaret e shumë vendeve të Rajonit do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve "Shengen" dhe kjo përfshin të gjithë ato vende që përmbushin të njëjtat standarte, por jo vetëm ato në fushën e sigurisë së dokumentave dhe të kufirit. /a.ke/
KOMENTE