English

Sport-Botëror/ Grupi A, Franca Me "Veshët" Nga Sfida Meksikë - Uruguai

- Një barazim midis Meksikës dhe Uruguait (të dyja nga 4 pikë) do t'i çonte të dyja skuadrat midis 16 më të mirave -. TIRANË, 22 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Me dy takimet e fundit, Meksikë-Uruguai dhe Afrika e Jugut-Francë (të dyja në orën 16:00), grupi A do të zbardhë të gjithë enigmat, edhe pse gjërat janë pak a shumë të qarta. Një barazim midis Meksikës dhe Uruguait (të dyja nga 4 pikë) do t'i çonte të dyja skuadrat midis 16 më të mirave, duke bërë të pavlefshëm çdo rezultat midis çiftit tjetër, Afrika e Jugut-Francë (të dyja nga një 1 pikë). FIFA ka bërë të ditur se ajo pret një ndeshje "fair-play" nga dy skuadrat kryesuese të grupit. Meksika dhe Uruguaji ndeshen mes tyre në pozita mjaft të favorshme, pasi u mjafton një barazim për t'u kualifikuar të dy për në fazën tjetër. Por vendi i dytë në Grupin A do të thotë përballje me Argjentinën, kështu që do të synohet fitorja për t'iu shmangur rrezikut, që paraqet ekipi i trajnerit Diego Maradona. Uruguaji ndodhet në krye të Grupit A dhe ka shënuar më shumë gola se Meksika. Një barazim do ta mbante atë në këtë pozicion, gjë që Uruguaji mund ta arrijë, pasi në ndeshjen me Francën tregoi se si mund të merrte pikë nga barazimi 0-0. Ndeshja e Grupit A, Francë-Afrikë e Jugut mund të përshkruhet si një luftë për ekzistencë. Të dy ekipet kanë nga 1 pikë, por matematikisht nuk janë eliminuar ende nga Kupa e Botës. Skuadra franceze ndodhet në vështirësi, kur sulmuesi Nicolas Anelka është dëbuar nga kampionati, ndërsa ekzistojnë debate e pakënaqësi mes lojtarëve, trajnerit dhe stafit të tij. Të zhgënjyer janë edhe tifozët, që nuk e prisnin një performancë kaq të dobët nga Franca. Afrika e Jugut pati mbështetje të madhe nga fansat dhe regjistroi një fillim të mirë me barazimin 1-1 kundër Meksikës, por humbi 3-0 më pas me Uruguajin. Afrika e Jugut rrezikon të bëhet vendi i parë organizator i një Kampionati Botëror, që dështon të kalojë në raundin e dytë./n.m/
KOMENTE