English

Austria: Jemi pro heqjes së vizave për shqiptarët brenda vitit 2010

Tiranë, 23 qershor, NOA – Austria mbështet liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti.

Deklarata është bërë nga ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, e cila u prit në një takim sot nga homologu i saj shqiptar, Lulëzim Basha.

“Jam e bindur se Shqipëria do të marrë në vjeshtë atë që pret nga Komisioni Europian, vendimin final për liberalizimin e vizave”, u shpreh Fekter lidhur me një fakt të tillë.

Gjatë takimit, ministri Basha informoi homologen Fekter mbi arritjet e deritanishme në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, në fushën e sigurisë së kufijve dhe në fushën e dokumentave të identitetit.

Sikundër, ai shprehu falënderimin për qeverinë austriake për bashkëpunimin e deritanishëm dhe ndihmën bujare, veçanërisht nga ministria e Brendshme austriake për sektorët e sigurisë, rendit, gjendjes civile dhe decentralizimit të pushtetit lokal në Shqipëri.

“Shqipëria bëhet vendi i parë europian që adopton modelin e propozuar dhe sponsorizuar nga qeveria federale austriake ILECU, model i cili parashikon ndërthurjen e të gjitha shërbimeve të komunikimit bilateral me EUROPOL-in dhe INTERPOL-in në një njësi të vetme operative, në një komandë të vetme duke përmirësuar dhe rritur efiçencën e komunikimit me partnerët tanë”, - u shpreh ministri Basha.

Duke vlerësuar se Shqipëria mund të merret si shembull i implementimit të praktikave më të mira nëpërmjet ILECU-t nga vendet e tjera të rajonit, austriakjaa Fekter paraqiti gjatë takimit edhe ftesën që Shqipëria të bëhet anëtare themeluese e Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion.

Ndërsa mirëpriti këtë ftesë dhe shprehu vullnetin për të marrë pjesë si anëtar themelues në këtë projekt, ministri Basha informoi se Shqipëria mori sot një çmim nga OKB në fushën e transparencës së administratës, si vendi i parë në botë që zotëron 100% prokurime elektronike.

n.e/NOA

KOMENTE