English

Bleu 45 milionë lekë karburant dhe nuk ka paguar asnjë këst, ndiqet italiani

Korçë, 23 Qershor, NOA – Një qytetar italian ka blerë një sasi të konsiderueshme karburanti, e cila kushton plot 45 milionë lekë, por nuk i ka paguar ende asnjë këst pronarit të pikës së karburantit ku e mori atë.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në qytetin e Korçës, ndërsa italiani ndaj të cilit tashmë ka nisur kryerja e veprimeve hetimore proceduriale për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, quhet Giusepe Massacci, 66 vjeç.

Siç raportohet nga burimet policore për agjencinë e Lajmeve NOA, ky person para pak kohësh, ka marrë karburant në vlerën e 45 milionë lekëve në pikën e karburantit të 39-vjeçarit me inicialet A.I.

Ai i ka premtuar këtij të fundit se do t’ia kthente më vonë këto para’, por ende nuk i ka shlyer asnjë pjesë të vlerës së lartpërmendur.

I gjendur ngushtë, pasi bëhet fjalë për një shumë jo të vogël, por të konsiderueshme parash, pronari i pikës së karburantit është detyruar të denoncojë në polici, ndërsa materialet për këtë ngjarje tashmë i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE