English

Mbetjet Spitalore Problem Delikat, Kërkohen Aksione Të Kombinuara Të Të Gjithë Aktorëve

TIRANË, 23 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Mbetjet spitalore në vend përbëjnë një problem shumë delikat dhe serioz, për zgjidhjen e të cilit kërkohen aksione të kombinuara nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proçes. "Aktualisht menaxhimi për mbetjet spitalore paraqet disa shqetësime, për shkak të specifikës së tyre dhe dëmit në shëndetin e njerëzve që artikulohet në shumë drejtime", tha Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në takimin "Trajtimi i Mbetjeve Spitalore: prioritet i Shqipërisë", organizuar sot në Hotel "Tirana International" nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave dhe ajo e Shëndetësisë, me mbështetjen teknike të projektit EU CARDS 2006 INPAEL. Mbetjet spitalore janë produkte që prodhohen në të gjitha strukturat shëndetësore shqiptare, pavarësisht se spitalet janë prodhuesit më intensivë të tyre. "Mbetjet e patrajtuara mirë krijojnë impakte negative në shëndetin e njerëzve, sidomos ato brenda mjediseve spitalore. Ato mbajnë gjallë rritjen e infeksioneve intraspitalore, që rrisin në mënyrë proporcionale kostot e trajtimit të pacientëve", tha ministri Vasili. Ai vlerësoi paketën ligjore mbi këtë problem, si përgjigja më e mirë dhe adekuate në këtë çështje, ndërsa theksoi se "detyra jonë është të vendosim standarde dhe të kërkojmë zbatimin e tyre pa lëshim". "Jemi në momentin e duhur për të pasur investime serioze dhe standarde të matshme dhe efekti i mbetjeve spitalore brenda ambienteve tona duhet të jetë zero", u shpreh ministri i Shëndetësisë, duke garantuar mbështetjen e dikasterit që drejton në inciativat e ndërmarra. Nga kontrollet e fundit të inspektorateve të mjedisit me drejtoritë e shëndetit publik në terren, u konstatuan një sërë problemesh në drejtim të menaxhimit të mbetjeve spitalore në institucionet shëndetësore në vend. Nga kontrollet u vu re se në përgjithesi nuk ekzistojnë inceneratorët ose metoda të tjera të përcaktuara me ligj për trajtimin e mbetjeve spitalore. Edhe në ato raste kur ka incenerator, ato janë jashtë kushteve teknike. Nga ana tjetër, nuk është bërë pajisja me leje mjedisore dhe mirëmbajtja periodike e tyre, gjë që çon në raste të patolerueshme të djegies së tyre në gjendje të lirë. Përgjithësisht, mbetjet spitalore hidhen në koshat e mbetjeve urbane, të patrajtuara, dhe tërhiqen nga firmat e pastrimit të qyteteve. Po kështu, nuk zbatohen kërkesat e rregullores lidhur me trajtimin, etiketimin, ndarjen e mbetjeve të rrezikshme dhe depozitimin e tyre në vende të veçanta ose në djegien me incenerator, magazinimin, transportimin dhe monitorimin. Ndërkohë, një pjesë e spitaleve kanë lidhur kontrata të kundraligjshme me subjekte private që nuk kanë lejet e posaçme për trajtimin e mbetjeve spitalore, të cilat i depozitojnë të patrajtuara në fushat e depozitimit të mbetjeve urbane, si dhe në vende të tjera të pamiratuara me ligj nga organet kompetente./s.s./
KOMENTE