English

Det, kulturë dhe turizëm - Një rrugëtim në rivierën shqiptare

Vlorë, 24 Qershor, NOA / Nga Eglantina NASI

... Ajo na sheh disi me droje, ndërsa ne e rrethojmë dhe i kërkojmë me dashamirësi të na tregojë diçka për atë që ka gjetur në Shqipëri duke e vizituar si turiste. E teksa vëzhgon me mjaft vëmendje ikonat dhe skulpturat e parkut arkeologjik të Apolonisë, profesoresha franceze e historisë, Marie-Paule Thery, pranon të na përgjigjet duke u shprehur mjaft e kënaqur që e ka zbuluar më në fund Shqipërinë. “Dija shumë pak rreth saj, por tani që e pashë, jam vërtet e entuziazmuar dhe do të doja pse jo, të rikthehesha sërish këtu”, na thotë duke buzëqeshur.

E rrethuar nga miqtë e saj të huaj, ajo ishte turistja e parë që takuam në guidën turistike për gazetarë të organizuar gjatë fundjavës nga Ministria e Kulturës, nën kujdesin e veçantë të ministrit Ferdinand Xhaferri, përgjatë bregdetit jugor shqiptar, me pikë-qëndrim në Vlorë.

E kishim marrë rrugën pikërisht për këtë gjë, të zbulonim pikat turistike të kësaj pjese të rivierës dhe ato pranë saj, të cilat në këtë sezon veror, kthehen në më atraktivet dhe të preferuarat për vizitorët vendas dhe të huaj.

Duket se dëshmia e turistes franceze ishte më e mira në stacionin tonë të parë të ndalesës, pas manastirit të Ardenicës, i cili na mrekulloi me hijeshinë e tij, edhe pse e gjetëm nën pikat e shiut atë mëngjes.

Falemi te Manastiri i Ardenicës

I ndodhur në distancën 10 km në veri të qytetit të Fierit, Manastiri i Ardenicës shtrihet buzë rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës në një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 metra mbi nivelin e detit.

Ky objekt kulti bizantin, të mrekullon me heshtjen mbretëruese rreth tij, në kodrën që dominon gjithë fushën e gjerë të Myzeqesë, ndërsa enigmën e shtojnë edhe më shumë frëngjitë pas të cilave jetojnë katër murgj.

Ky vend i josh turistët me ikonat, dhe historinë e tij, që daton në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat.

Ciceroni në Apoloni: Turistët janë shtuar me 200%

Për fat të mirë, në parkun e Apolonisë, koha ishte më e mirë dhe dielli na buzëqesh.

Do të kemi mundësinë të shijojmë kështu reflekset diellore mbi monumentin tradicional të këtij parku arkeologjik.

Ciceroni na shoqëron, duke na treguar sesi numri i turistëve në dy vitet e fundit është rritur me 200 për qind në këtë pikë turistike. E mrekullueshme apo jo? Kjo ka ndodhur megjithë frikën që patën ekspertët për uljen e të ardhurave nga turizmi në këtë park pas problemeve me statujat, por ciceroni e mohon këtë.

Admir Xhelaj, ndërsa na flet për historinë e Apolonisë, na tregon sesi “fluksi më i madh i turistëve ishte në periudhën maj-shator, me turistë nga e gjithë bota”.

Madje na thotë se në parkun e Apolonisë kanë mbërritur edhe deri në turistë japonezë. “Vizitorët më të shumtë janë evropianë e kanë ardhur madje edhe japonezë, të cilët ishin të interesuar jo vetëm për monumentet por edhe për lulet dhe breshkat”, tha ai.

Nuk mund ta fsheh habinë për këtë të dhënë të fundit që mësova në këtë park arkeologjik. Duket se gjithkush mund të gjejë gjithçka aty, mjafton të vijë ta prekë.

Kryeqendra e hershme e historisë së Fierit, qyteti antik i Apolonisë, të josh me faktet që ciceroni i cilëson një pas një, si një libër i hapur në natyrën mbresëlënëse të këtij parku arkeologjik.

E themeluar në shekullin e VI para Krishtit, me një jetëgjatësi rreth 1200 vjet dhe zhvillimin e madh kulturor që mori ky qytet, ajo ka diçka për të thënë për çdo turist të botës. Me një stil bizantin ajo konservohet si një kompleks arkitektonik mjaft interesant së bashku me kishën me interierët me dekorimet dhe pikturat murale të veçanta.

Por rruga nuk ndalet këtu

Vlorën e gjetëm mikpritëse dhe këndjellëse, me detin e ëmbël si përherë. Ishte stacioni i radhës së udhëtimit tonë, ndërsa na ofronte një bukuri të veçantë në fillim të këtij sezoni veror. Grupi me gazetarë i afrohet bregdetit jugor, duke nisur rrugëtimin gjatë rivierës mahnitëse që ajo ofron duke nisur që nga nyja nistore e këtij segmenti, Vlora. Gëzim Halili, specialist në drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në ministrinë e Kulturës dhe Brikena Janina, specialiste në drejtorinë e Turizmit, të dy nga ky qytet bregdetar, na tregojnë detaje prej këtij qyteti, të cilat na e bëjnë vëzhgimin edhe më të kompletuar, pa lënë asnjë që t’i shpëtojë syrit në këtë udhëtim, i cili kishte si qëllim në vetvete prekjen nga afër të asaj çfarë ofron trashëgimia, natyra dhe bregdeti shqiptar së bashku. Të entuziazmuar, marrim rrugën drejt Radhimës, për të vijuar me Orikumin, Dhërmiun, Himarën, Jalin dhe Porto Palermon.

Të gjithë jemi në një mendje

Të gjithë jemi në një mendje: Se kështu ndihen të gjithë turistët që ashtu si ne, preferojnë të vizitojnë këtë pjesë të atdheut për të kaluar pushimet e tyre. Kanë gjithçka të kombinuar: Malin, detin, ujin, ajrin, pemëtarinë dhe blegtorinë. Pa harruar në asnjë mënyrë, as infrastrukturën rrugore, e cila shfaqet në mënyrën e saj më optimale gjatë kësaj vere përgjatë rrugës që përshkon gjithë rivierën e bregdetit jugor të vendit. Një unitet vlerash historike, turistike, natyrore dhe infrastrukturore që nuk i gjejmë dot të ndërthurura kaq mirë në asnjë pjesë tjetër.

“E pikërisht, prekja nga afër e kësaj mrekullie, ka qenë edhe qëllimi i vërtetë i realizimit të kësaj guide turistike”, pohon shefja e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun në MTKRS, Irena Prici, organizatorja simpatike dhe e shkathët, e cila na shoqëron në çdo hap dhe me mjeshtëri, arrin të na orientojë e të na bëjnë të vëzhgojmë gjatë udhëtimit gjërat që vërtet paraqesin vlerat e tyre të pazëvendësueshme arkitektonike, arkeologjike, natyrore etj. Ndërkaq, gazetarët i shoqëruan dhe Enver Bytyçi, drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun në MTKRS; Nikolla Lena, drejtor i përgjithshëm i Politikave në Art dhe Kulturë; Mimoza Sofroni, drejtoreshë e Artit, Gëzim Halili, specialist në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore dhe Brikena Janina, specialiste në drejtorinë e Turizmit.

Që të gjithë kanë diçka për të na thënë, si njohës dhe kompetentë të aspekteve kulturore, historike dhe turistike të kësaj zone e që të gjithë, të interesuar që me politikat e mëtejshme në përmirësim të ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, të ndikojnë në një qasje më të mirë të turistëve vendas dhe të huaj për këtë perlë të turizmit shqiptar, siç është zona e bregdetit dhe rivierës së jugut, e mbushur me pasuri unikale turistiko-kulturore, motiv ky për ta zhvilluar sa më shumë turizmin kulturor në të ardhmen.

Mahnitemi nga Porto-Palermo

Një kala e ndërtuar nga një pasha për të dashurën e tij të zemrës. E gjendur në mes të detit, të fton ta vizitosh e të kuptosh sesi brenda tij mund të gjesh të ndërthurur artin dhe historinë me natyrën dhe bukuritë e saj. Bëhet fjalë për Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo, e ndërtuar në një gadishull midis Himarës dhe Qeparos. Në formë trekëndore, me përmasa 150 x 400 metra dhe një lartësi muresh që arrin në 20 metra, Ali Pashai e ndërtoi këtë kala për nder të së shoqes, Vasiliqisë. Endemi në muret e saj dhe përpiqemi të kuptojmë sesi një dashuri kaq e madhe është vlerësuar me një vepër të tillë të mrekullueshme. Nga dritaret e gurta të hapura, hedhim sytë përtej detit dhe përpiqemi të kuptojmë historinë me faktet e saj të çuditshme. Pse jo, që aty mund të na vijë dëshira edhe për t’u larë në det, gjë që e bëjnë sa zbresim shkallët e gurta. Një gjë e cila do të joshte në fakt shumë turistë: Det dhe kulturë, det dhe art, det dhe traditë. Që të gjitha, nën emrin e një progresi dhe prosperiteti që turizmi shqiptar në vetvete synon të realizojë në vite, në një rrugë e cila tashmë ka nisur, përmes projektesh mjaft ambicioze, një nga të cilët ishte edhe ky i guidës turistike të realizuar me përfaqësuesit e medias, sponsorizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe “Taçi Oil”. Ne ishim një ndër grupet që e pamë dhe e prekëm nga afër atë mrekulli që të dhuron bregdeti shqiptar. Shpresojmë që të shumtë të jenë të tjerë të cilët do të bëjnë të njëjtin rrugëtim, drejt një hapësire e cila dhuron pushime këndjellëse, e natyrisht shumë kulturë dhe mrekulli ...

NOA

KOMENTE