English

Durrës: Kroçerat Sjellin Turistë Ditorë

DURRËS, 24 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Kroçera "Arion" ka mbërritur sot paradite në portin detar të Durrësit me rreth 130 turistë francezë dhe belgë, të cilët vijuan me vizitat në qytetin antik dhe në Tiranë e Krujë. Gjatë lundrimeve të saj të përjavshme drejt Durrësit anija turistike "Arion" ka sjellë më shumë se 1400 turistë nga vende të ndryshme të botës. Burime nga agjencia mikpritëse në Durrës, bënë të ditur për ATSH-në se ky është udhëtimi i shtatë i anijes turistike drejt Durrësit, ndërsa deri në fund të muajit tetor do të realizohen edhe 12 lundrime të tjera. "Paketa turistike 10-ditore përfshin edhe vizita në portet e Greqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë," thanë burimet, sipas të cilave, Shqipëria bën pjesë thuajse në të gjitha itineraret turistike të Ballkanit. Dy grupe me turistë të huaj i janë drejtuar me autobuzë qendrave historike dhe arkeologjike në Krujë dhe në Tiranë, ndërsa një grup tjetër ka vijuar vizitat në muzeun arkeologjik dhe në monumentet e qytetit antik të Durrësit. "Sot në mbrëmje kroçera "Arion" do të lundrojë drejt portit të Dubrovnikut (Kroaci)", përfunduan burimet./ch/
KOMENTE