English

Durrës: Bashkërendimi Mes Strukturave, Prioritet Në Masat Kundër Zjarreve

DURRËS, 25 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Masat për mbrojtjen kundër zjarreve dhe bashkërendimi i punës së strukturave të specializuara dhe atyre të pushtetit vendor ishin në qendër të takimit të organizuar në prefekturën e qarkut të Durrësit, ku morri pjesë edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Mediu tha se gjatë sezonit veror "masat antizjarr duhet të jenë edhe më të efektshme në mënyrë që të garantojmë pasurinë tonë kombëtare". Sipas Mediut, përveç rasteve të zjarreve që shkaktohen nga temperaturat e larta të stinës, ligji duhet të veprojë me forcë ndaj zjarrvënësve të qëllimshëm. "Në territorin Durrës -Krujë ka mbi 500 ha kullota dhe rreth 8 000 hektarë pyje, 65 përqind e të cilave vazhojnë të administrohen nga shteti. Kjo pasuri e madhe kombëtare që përfshin pyjet e Ishmit dhe Rodonit në rrethin e Durrësit, të Krastës e Qafë Shtamës në rrethin e Krujës, mund të kërcënohet nga zjarret nëse nuk merren masa parandaluese," shtoi Mediu. Prefekti Genc Alizoti theksoi se "në mbështetje të strategjisë së qeverisë për të mbrojtur pyjet nga zjarri këtë vit do të shtohen kontrollet në terren, pajisja e policëve pyjorë me mjete efikase komunikimi, bashkëveprimi i shpejtë me ushtrinë në rast rreziku si dhe do të forcohet bashkëpunimi me popullsinë lokale". Drejtori i ndërmarrjes Pyjore në Durrës, Enver Masha tha se vjelja e informacionit nga banorët është e një rëndësie tepër të madhe për ndërhyrjet në kohë për shuarje që në fazën fillestare të vatrës së zjarrit. Gjatë verës 2007 bilanci i djegies së pyjeve në Qarkun Durrës-Krujë ka qenë i rëndë. Para tre vitesh u shkrumbuan rreth 40 hektarë me pisha, ullinj dhe shkurre, ndërsa në kodrat e Ishmit dhe të Manzës u përdorën edhe mjete ajrore të ardhura nga vendet e B.E.-së për shuarjen e zjarreve. Ndërsa përvoja e krijuar në dy sezonet e fundit verore shërben si bazë e mirë për veprimtarinë dhe përgatitjet e këtij viti./ch/
KOMENTE