Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Një gjyq policor pas një policie ndëshkuese
English

Një gjyq policor pas një policie ndëshkuese

Dënimi prej 9 muajsh m’u shqiptua sa për të qenë në rregull librat e brendshëm të OKB-së dhe si mbulesë për persekutimin dhe paraburgimin e mëhershëm gjatë vitit 2007 në kohën e UNMIK-ut. Kësisoj, doli që Prokuroria Speciale e EULEX-it, e cila merret me krimin e organizuar, terrorizmin, krimet e luftës e të ngjashme, e paska marrë për trajtim të ngutshëm një rast të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës të tyre zyrtare! E këtillë ishte kjo akuza e dytë që mbeti në fund. I gjithë ky angazhim e zell u bë për një këso akuze fare minore siç e cilësoi edhe vetë de Mongeoti. Vendimi e dënimi i tij, pa dëshmitarë e pa prova materiale, u bazua vetëm në një xhirim të demonstratës, edhe ashtu jo aq i përshtatshëm pasi që unë as që shihesha në masën e demonstruesve!

Nga Albin Kurti*

Pa kundërshtimin qytetar e shoqëror ndaj këtij procesi dhe pa mosbindjen e avokatëve ndaj gjykatësit të EULEX-it, ky proces pa dyshim se nuk do të mbaronte me kaq dhe kështu.

Në orën 10:00 të mëngjesit do të fillonte gjykimi. Qysh në 07:30 më dërguan në gjykatë. Njësia speciale me maska i terrorizoi qytetarët e rastit. Nuk pati kalimtarë në rrugët ‘Luan Haradinaj’, ‘UÇK’ dhe ‘Ilir Konushevci’ që nuk u shqetësua dhe instiktivisht nuk lëvizi një a më shumë hapa larg prej cepit të rrugës. Furgonat dhe xhipat e policisë të shoqëruar me sirenat alarmuese dhe boritë shurdhuese të tyre, fluturuan në drejtim të Gjykatës së Qarkut. Gjithandej pati këmbësorë që gati sa nuk u shtypën e makina tjera që për pak nuk u goditën nga konvoji policor. Ky shqetësim i publikut bëhej për ta mundësuar gjykimin e dënimin tim si shqetësues i publikut.

U gëzova shumë kur nuk i pashë avokatët. Mbrojtja e tyre për mua do t’i ndihmonte sulmit kundër meje. Përkundër faktit që unë isha aty, ata vazhduan të mos vinin. Me skenar të përgatitur dhe me regjisorin Ferdinando Buatier de Mongeot të pranishëm, ishte shumë e rëndësishme që të mungonin aktorët. Padëgjueshmëria kur nuk jep rezultate, kjo nuk ngjan për shkak të karakterit të saj, por për shkak të përmasës saj. Padëgjueshmëria kolektive dhe e përgjithshme gjithmonë ka sukses. Gjykatësi ndërkombëtar de Mongeot sigurisht që nuk u befasua. Kjo ishte seanca e njëmbëdhjetë me radhë dhe e para me mua në të. Në dhjetë seancat paraprake ishte entuziazmuar atëherë me të rrallë kur kishte arritur të sjellte avokatë në gjykatore, për t’u zhgënjyer shpejt më pas nga dorëheqjet e tyre. Midis gjykatësit të EULEX-it që ngulmonte në këtë proces dhe dhjetëra mijëra nënshkrimeve të qytetarëve që i bashkoheshin peticionit secilën ditë, avokatët nuk kishin pasur shumë dilema se çfarë duhet të zgjedhnin.

EULEX-i u pat diskredituar shumë nga ky proces dhe ai duhej mbyllur disi sa më parë. Gjykatësi i EULEX-it e kishte vetëm një mundësi para vetes: të hiqte dorë nga akuza e parë për të cilën parashihej dënimi prej një deri në dhjetë vjet dhe, kësisoj, gjykimi të vazhdonte pa avokat. Ligji në Kosovë nuk lejon proces pa avokat nëse i pandehuri mund të dënohet me më shumë se tetë vjet. Kjo është arsyeja e reduktimit drastik të padisë nga ana e gjykatësit ndërkombëtar. Shihej se ai si profesionist kishte siklet të vazhdonte me këtë padi absurde dhe me bazë të dobët ligjore, mirëpo vendimtare për ta hequr akuzën e parë ishte nevoja që ky proces të mbyllej pa avokat dhe sa më shpejt, e jo ndonjë ndjenjë e gjykatësit për drejtësi. Porsa filloi seanca gjykatësi de Mongeot njoftoi që prokurori Ali Rexha kishte diçka për të thënë. Dhe Ali Rexha foli: heqet edhe akuza e parë, tha ai. Më herët prokurori Rexha e kishte hequr akuzën e tretë. Gjithsesi një drejtësi e çuditshme kjo: unë nuk shkoja në seanca e ata i zvogëlonin akuzat! Me heqjen e akuzës për ‘tentim të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm’, vrasjet dhe plagosjet më 10 shkurt të vitit 2007 nga ana e policëve rumunë të UNMIK-ut u bënë absolutisht kriminale dhe absolutisht të pajustifikueshme.

Se këtë akuzë në të vërtet nuk e kishte hequr prokurori por vetë gjykatësi, e dëshmoi pa dashje pikërisht prokurori Rexha. Në fjalimin e tij përmbyllës ai nisi të më akuzojë edhe në lidhje me akuzën e parë prej të cilës kishte hequr dorë në fillim të seancës! Ali Rexha e lexoi fjalimin përmbyllës të cilin e kishte shkruar para se ‘ky’ ta heqte akuzën e parë. Në këtë situatë groteske, krejt çfarë mund të bënte Ferdinando Buatier de Mongeot ishte të skuqej sa më pak.

Në arsyeshmërinë e vendimit për dënimin me 9 muaj burg, de Mongeot nuk kishte mundur t’i përdorte fare dëshmitarët e prokurorisë. Policët Besart Ahmeti, Kristë Gjokaj dhe Ismet Hajdini dëshmuan në favor timin. Nga lista e gjatë e dëshmitarëve ishin përzgjedhur vetëm tre sosh, por edhe këta s’i hynë në punë de Mongeotit. Unë nuk kisha fare nevojë t’i demaskoja e zhvlerësoja këta dëshmitarë të prokurorisë. Pas dëshmisë së tyre ishte gjykatësi ndërkombëtar ai i cili i mori në pyetje duke u përpjekur t’i diskreditojë për shkak të shpërputhjes ndërmjet dëshmisë së tyre në shkurt të vitit 2007 dhe tash. Aq i zellshëm ishte ky gjykatës kundër dëshmitarëve të prokurorisë (që, në fakt, u bënë dëshmitarë të mbrojtjes), saqë kur i thashë që propozoj që ai ta ndërrojë vendin me prokurorin, sërish nuk i mbeti gjë tjetër vetëm të skuqej sa më pak.

Dëshmitarëve njëmend nuk u përputheshin deklaratat, por atyre nuk u janë përputhur as deklaratat e dhjetorit të vitit 2007 me ato të shkurtit të atij viti, e lëre më me këto të fundit. Ishte e qartë se policët kosovarë kishin qenë nën trysni të tmerrshme nga hetuesit e UNMIK-ut menjëherë pas 10 shkurtit 2007, andaj ata nënshkruan aso deklaratash të cilat vetëm disa muaj më vonë nuk ishin në gjendje as t’i njohin se çfarë përmbajnë se ku e ku t’i përsërisin. Për më tepër, këta policë dëshimtarë më 14 qershor 2010 treguan se si ata do të mund të ishin edhe një herë dëshmitarë të prokurorisë, por kësaj radhe në një proces tjetër që ende mungon – ai kundër policëve rumunë të UNMIK-ut. Policët dëshmitarë rrëfyen se si ndërhyrja më 10 shkurt 2007 ishte e lidhur me njoftimin që ia kishte kumtuar ShPK-së një zyrtar i lartë i UNMIK-ut po atë ditë në mëngjes, duke u thënë që kanë informata të sigurta nga shërbimi i tyre inteligjent që demonstruesit do ta sulmojnë ndërtesën e UNMIK-ut. Prandaj ishte sjellur i gjithë ai armatim në sheshin ‘Nëna Tereze’: për t’u përdorur, jo për t’u ekspozuar.

Dënimi prej 9 muajsh m’u shqiptua sa për të qenë në rregull librat e brendshëm të OKB-së dhe si mbulesë për persekutimin dhe paraburgimin e mëhershëm gjatë vitit 2007 në kohën e UNMIK-ut. Kësisoj, doli që Prokuroria Speciale e EULEX-it, e cila merret me krimin e organizuar, terrorizmin, krimet e luftës e të ngjashme, e paska marrë për trajtim të ngutshëm një rast të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës të tyre zyrtare! E këtillë ishte kjo akuza e dytë që mbeti në fund. I gjithë ky angazhim e zell u bë për një këso akuze fare minore siç e cilësoi edhe vetë de Mongeoti. Vendimi e dënimi i tij, pa dëshmitarë e pa prova materiale, u bazua vetëm në një xhirim të demonstratës, edhe ashtu jo aq i përshtatshëm pasi që unë as që shihesha në masën e demonstruesve!

Akuza 2 gabimisht pohonte se më 10 shkurt 2007 policia e kishte mbrojtur pronën institucionale, dhe që unë i kisha penguar ata për ta bërë këtë. Kordoni policor nuk ishte vënë me 10 shkurt para pronës institucionale për ta mbrojtur atë, por ai ishte vendosur në mes të rrugës, duke e bllokuar itinerarin e marshimit tonë paqësor. Ne e kishim shpallur këtë itinerar mjaft kohë më parë, dhe unë e kam përsëritur atë ditë në fjalimin tim. Policia e ka ditur saktësisht se ku do të marshonim më 10 shkurt, dhe u pozicionua në mes të kësaj rruge, duke e bllokuar atë. Kjo do të thotë se kordoni u formua në orvatje për të bllokuar demonstratën tonë paqësore, ose "për të penguar protestuesit që të vazhdonin më tej" (siç edhe thuhet në faqen 2 të padisë). Ajo çfarë policia ka bërë atë ditë ishte një veprim për të shtypur një protestë jo të dhunshme dhe për të shkelur të drejtat tona për lirinë e tubimit, protestës paqësore dhe të shprehjes, të konfirmuara edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Oya Ataman kundër Turqisë. Gjykatësi de Mongeot u bind që është kështu, prandaj ai u distancua nga ligjshmëria e kordonit policor në mes të rrugës, dhe më shpalli fajtor jo pse kordoni ka qenë aty sipas ligjit apo me të drejtë, por pse policët megjithatë e kanë pasur për detyrë formimin e këtij kordoni bllokues qoftë ai edhe i padrejtë e i paligjshëm! Dënimi prej 9 muajsh në bazë të ligjit është dashur të jetë së paku një vit. Por, meqë me atë rast do të duhej të më çojnë në burg që t’i mbaj edhe një muaj e gjysmë shtesë, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje! kishte paralajmëruar demonstratë për datën 21 qershor, gjykatësi e përdori nenin 66 për zbutje të dënimit nën minimumin e paraparë dhe më liroi. Ashtu siç e kishte ky proces (ri)fillimin dhe ecurinë e tij kryekëput politike, as fundi i tij s’ishte tjetër për nga karakteri. Politikisht më arrestuan e izoluan, politikisht edhe më liruan. Nuk e quan EULEX-i kot veten operacion për menaxhimin e krizave dhe jo institucion i drejtësisë.

15 shkurti i këtij viti u pat caktuar si ditë e rifillimit të gjyqit kundër meje. Atëbotë ishin paraparë tetë seanca gjithsej me data specifike dhe me një dyzinë dëshmitarësh, që të gjithë policë. Në fund mbeti vetëm një akuzë dhe u bë vetëm një seancë shpejt e shpejt (ku gjykatësi nuk dihej nëse më shumë kishte hall karakterin politik të fjalimit tim apo kohëzgjatjen e tij). Pa kundërshtimin qytetar e shoqëror ndaj këtij procesi dhe pa mosbindjen e avokatëve ndaj gjykatësit të EULEX-it, ky proces pa dyshim se nuk do të mbaronte me kaq dhe kështu. Deklaratat e mëhershme të zyrtarëve ndërkombëtarë si ajo e zëdhënëses së EULEX-it, Kristina Herodes, se unë duhej ta dëshmoja pafajësinë në gjyq (gjë që paraqet shkelje të rëndë dhe prejudikim) ose ajo e Pieter Feithit në AUK se unë duhej të përgjigjesha për mbrapshtitë (ang. misdeeds) e mia (e që sërish paraqet shkelje sepse prejudikim) nuk kanë treguar vetëm nervozizmin e tyre.

* Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”

KOMENTE