English

Dogana e Maqedonisë konfiskon mallrat e kompanive kosovare

Bllacë, (Maqedoni), 27 qershor, NOA Në pikat kufitare të Maqedonisë janë bllokuar sasi të konsiderueshme të mallrave të kompanive tregtare të Kosovës, të cilat importojnë nga Turqia, Kina dhe vende tjera. Bizneset kosovare kanë shprehur shqetësimin për kontrollet e vazhdueshme dhe konfiskimin e mallrave, edhe pse Maqedonia shfrytëzohet si vend transit.

Ekzekutimi i vendimit për konfiskim nga autoritetet doganore maqedonase bëhet për shkak të parandalimit të mallrave të falsifikuara dhe mbrojtjes të të drejtës së prodhimeve origjinale.

Drejtoria e Doganave ka theksuar se malli konfiskohet në bazë të Ligjit për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe se për të gjithë ato mallra do të ketë procedurë për vërtetimin e origjinalitetit të tyre.

Më të goditura janë kompanitë kosovare të tregtisë me tekstil dhe veshmbathjeve, dyqanet e veshjeve dhe kompanitë e tjera, të cilat shfrytëzojnë territorin e Maqedonisë si vend transit për transportin e mallrave nga Turqia dhe vendet tjera.

Dhoma Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore është kundër mallrave të falsifikuara, por zyrtar të saj shprehen të shqetësuar për kontrollet e tilla, që kryhen në një vend transitor.

“Ka ankesa të ndryshme nga bizneset se pse ata kontrollohen detajisht në Maqedoni nga autoritetet doganore dhe i konfiskohet malli. Autoritetet doganore në Kosovë janë përgjegjëse për doganim dhe procedura apo masa tjera", theksojnë ata.

Mallrat e kompanive kosovare kryesisht po konfiskohen në vendkalimin kufitar Deve Bair, Bogorodicë, por edhe në Bllacë. Gjatë kësaj jave sërish janë konfiskuar mallra të tilla.

Nga një kamion me targa turke në vendkalimin Bogorodicë janë konfiskuar rreth 2 mijë prodhime tekstili (xhinse, pantallona, fanella me krah të shkurtër si dhe këmisha) me logot e Adidas, Nike, Puma, Dolce & Gabana, Diesel, Tommy Hilfiger, Levis, etj.

Këto ishin ngarkuar me mallra të tjera, të cilat dedikoheshin për Kosovë. Autoritetet doganore janë arsyetuar se kanë ndaluar mallra të falsifikuara, që mbajnë logot e kompanive të mirënjohura botërore.

Në një aksion tjetër në Bllacë, janë konfiskuar rreth 600 atlete me logot “Adidas” dhe “Nike”, të cilët gjithashtu ishin në një kamion me targa turke dhe ishin dedikuar për një firmë importi nga Kosova.

NOA

KOMENTE