English

Korçë: Aktori Perika Gjezi Humb Jetën Në Një Aksident Automobilistik

KORÇË, 27 Qershor/ATSH-Behar Fejzulla/ - Aktori Perika Gjezi i teatrit "Andon Zako Çajupi" të Korçës humbi jetën sot pasdite në një aksident automobilistik në rrugën Korçë-Voskopojë. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së Korçës, Eftiola Kacorri, aksidenti ka ndodhur rreth orës 15.00 në afërsi të fshatit Gjonomadh, kur automjeti i drejtuar nga Gjezi është përplasur me një tjetër automjet, të drejtuar nga 20 vjeçari Xhuliano Klami, lindur dhe banues në Tiranë. Përplasja e dy automjeteve ka rezultuar fatale për aktorin Perika Gjezi. Forcat e policisë, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ndaluar 20 vjeçarin Klami, ndërsa po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Paraprakisht, sipas burimeve nga policia, mendohet se shkak i aksidentit ka qënë shpejtësia e madhe. Perika Gjezi ka lindur në vitin 1949 në qytetin e Korçës. Ai ka përfunduar studimet e larta për art dramatik në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1975, kohë prej së cilës ka punuar si aktor i teatrit "A.Z.Çajupi" të Korçës. Gjezi ka luajtur mjaft role të spikatura në teatrin e Korçës dhe në kinematografinë shqiptare./e.ç/
KOMENTE