English

Komisioni I Ekonomisë Miraton Në Parim P/Ligjin "Për Menaxhimin Financiar Dhe Kontrollin"

TIRANE, 28 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/ .- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën në parim vetëm me votat e maxhorancës p/ligjin "Për menaxhimin financiar dhe kontrollin", i cili përcakton rregullat, procedurat administrative dhe metodat për funksionimin e menaxhimit financiar dhe të kontrollit brenda njësive të sektorit publik, me qëllim përdorimin efiçent të burimeve financiare publike, duke respektuar parimin e transparencës dhe të ligjshmërisë. Deputetë të opozitës gjatë votimit në parim abstenuan për këtë p/ligj, pasi sipas nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, "ligji është i paqartë". Sipas ekspertes së ministrisë së Financave, Anila Çili, zbatimi i këtij p/ligji përcakton përgjegjësitë e ministrit të Financave, udhëzimet dhe manualet standarde që ai miraton, përcakton përgjegjshmërinë menaxheriale të titullarit të njësisë së sektorit publik nëpunësit etj, dhe fut të drejtën e delegimit të detyrave të nëpunësit autorizues, atij zbatues dhe menaxherëve të tjerë, duke venë theksin në ruajtjen e nivelit të përgjegjësisë. Çili theksoi se miratimi i p/ligjit do të sigurojë rritjen cilësore të menaxhimit të financave publike dhe plotësimin e kuadrit ligjor, sipas kërkesave të Bashkimit Europian. /a.ke/
KOMENTE