English

Meta: Maqedonia të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

Tiranë, 28 Qershor, NOA - Ecuria e reformave dhe fryma e zhvillimeve të brendshme në Maqedoni duhet të jetë e tillë që të mos bëhet pengesë në proceset integruese, duke evidentuar me këtë rast rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ia komunikoi ambasadores së Maqedonisë Blagorodna Mingova-Krepieva, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në Tiranë, gjatë një takimi kortezie.

Marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon si dhe procesi integrues në BE ishin temat kryesore të diskutuara gjatë këtij takimi.

Nga ana e saj, ambasadorja Mingova-Krepieva vlerësoi stadin aktual të bashkëpunimit ndërinstitucional mes të dy vendeve dhe, në veçanti, dialogun politik dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë.

Në këtë kontekst, zv/kryeministri Meta siguroi për realizimin, së afërmi, të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni.

Ai ka evidentuar në fund, nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe fqinjësinë së mirë mes të dy vendeve dhe vlerësoi rolin dhe kontributin e veçantë të ambasadores Mingova-Krepieva në këtë drejtim.

n.e/NOA

KOMENTE