English

Meta: Shqipëria Mbështet Anëtarësimin Në Nato Të Maqedonisë

- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti Ambasadoren e Maqedonisë, Blagorodna Mingova-Krepieva - TIRANE, 28 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/. - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, shprehu sot gjatë një takim kortezie me Ambasadoren e Maqedonisë Blagorodna Mingova-Krepieva, mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se duke rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, nënvizoi se "ecuria e reformave dhe fryma e zhvillimeve të brendshme në Maqedoni duhet të jetë e tillë që të mos bëhet pengesë në proceset integruese". Ai theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Ministri Meta evidentoi dhe nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit dhe fqinjësinë së mirë mes dy vendeve, ndërsa vlerësoi rolin dhe kontributin e veçantë të Ambasadores Mingova-Krepieva në këtë drejtim. Ndërsa Ambasadorja e Maqedonisë Mingova-Krepieva vlerësoi stadin aktual të bashkëpunimit ndërinstitucional mes të dy vendeve e në veçanti, dialogun politik dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se së afërmi do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Maqedoni./s.s./
KOMENTE