English

Thaçi: Kosova Dëshmon Mundësi Të Mira Për Investime

PRISHTINË, 28 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Kosova dëshmon mundësi të mira për investime, tha sot Kryeministri Hashim Thaçi, duke përmendur fillimin e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare dhe projekte të tjera madhore. "Tanimë Kosova ka dëshmuar mundësi të mira për investime, ka pasur sukses të plotë në procesin e fillimit të ndërtimit të autostradës, përmbylljen me sukses të koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës", tha ai në Forumin e Nivelit të Lartë për Privatizimin e Distribuimit dhe Furnizimit në Korporatën Energjetike të Kosovës. Nga donatorët e pranishëm Thaçi kërkoi mirëkuptim, sepse, siç u shpreh ai, "Kosova është një vend në zhvillim dhe ka mungesa të mëdha të kapaciteteve të gjenerimit të energjisë, të cilat duhet t'i tejkalojmë". Sipas tij, "përfundimi i suksesshëm i projektit të termocentralit Kosova e Re dhe privatizimit të Distrubuimit dhe Furnizimit, me kosto sa më të ulët për popullin e Kosovës, është esenciale për të arritur qëllimin tonë të integrimit evropian". Duke përshëndetur të pranishmit, mes të cilëve dhe Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, kryeministri Thaçi falënderoi veçanërisht Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara-USAID, dhe Asociacionin Kombëtar të Komisionerëve të Zyrave të Rregullatorëve nga SHBA për organizimin dhe sponsorimin e kësaj konference. /s.s./
KOMENTE