English

Vasili: Kontroll Institucioneve Private Shëndetësore Për T'U Garantuar Qytetarëve Shërbim Me Standarde Dhe Të Unifikuar

- Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, raporton në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë - TIRANË, 28 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Mënyra e re e liçensimit të aktiviteteve private në vend, përfshi dhe ato të sektorit të shëndetësisë, duke liberalizuar procedurat e përshpejtuar ato, kërkon forcimin e mekanizmave të kontrollit sistematik të veprimtarisë dhe cilësisë në shërbimin privat, tha sot ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Nisur nga kjo, por dhe ankesat e qytetarëve e denoncimet në media për raste të pasaktësisë së vënies së diagnozave mjekësore, apo dhe të tjera, në strukturat private, MSH ka ndërmarrë një sërë kontrollesh për verifikimin e standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në to. Ndërkohë, Vasili vlerësoi shërbimin privat të rëndësishëm dhe komplementar me atë publik. "Ky shërbim duhet të jetë i uniformizuar, duhet të ketë standardet dhe qëndrimi ndaj tij duhet të jetë po aq objektiv, sa ai që mbahet ndaj shërbimit publik", tha Vasili, duke shtuar se "kontrollet janë ndërmarrë për t'u dhënë garanci qytetarëve që kudo që ata marrin shërbim shëndetësor, qoftë i administruar nga shteti apo privatët, standardet e shërbimit janë të garantuar dhe të verifikuara". Praktikat e reja të liçensimit dhe vetëdeklarimit, sipas tij, nënkuptojne në mënyrë ligjore kontrollin e mëpasshëm të vërtetësisë së gjithë asaj që është deklaruar nga subjekti, kur ai ka marrë përsipër të ofrojë shërbim privat. Për specifikat që ka ky sektor, kontrolli është ndarë në 4 grupe të mëdha, spitalet private, klinikat e karakterit diagnostik, shërbimi stomatologjik, si dhe laboratorët dhe shërbimi farmaceutik. Ndërkohë, për këtë të fundit funksionon prej shumë javësh Task force, ndërsa specifikë ka qenë uniformizimi i shërbimit shtetëror dhe privat. Kontrollet në grupet kryesore drejtohen nga drejtues të MSH, ndërsa për evitimin e çdo lloj keqkuptimi dhe për të qenë sa më afër kontrollit profesional, janë mobilizuar dhe specialistë nga struktuart e tjera publike në varësi të MSH. Sipas Vasilit, zbatimi i ligjshmërisë, përputhshmëria ndërmjet liçensimit të aktivitetit bazuar në vetëdeklarim dhe ushtrimit të aktivitetit privat, personeli që ushtron veprimtarinë, praktikat mjekësore të afruar si dhe regjistrat dhe raportimet pranë institucioneve qendrore, mbeten momentet kyçe në të cilat shtrihet kontrolli. Ministri i Shëndetësisë vuri në dukje se në rrethe është vënë në lëvizje mekanizmi i informacionit edhe për veprimtari eventuale mjekësore që ofrohen në mënyrë të paligjshme (pa liçencë) e që janë fenomen akoma më negativ, informal, në sinjalizim të të cilave do të mbahen qëndrimet përkatëse ligjore. Vendimet e marra nga grupet e kontrollit në terren do të adresohen në Task Forcën përkatëse, ndërsa më tej do të proçedohet me vendimet përkatëse. "Në çdo shkelje të veprimtarisë nuk do të ketë hezitim edhe për kërkesën e ndërprerjes së veprimtarisë së aktivitetit. Nuk do të ketë negocim me kushte të ofrimit të shërbimti shëndetësor që nuk përputhen me standardet", siguroi Vasili. Në përgjigje të deputetëve socialistë në Komision, Vasili garantoi vazhdimësinë e kontrolleve. "Praktika e liçensimit ka nisur në vitin 2009 dhe duhet lënë një kohë e domosdoshme për hyrjen në këtë periudhë kontrolli dhe përgatitjen e mekanizmave përkatës. Jemi në kohë për të startuar dhe kjo krijon mundësinë për të ruajtuar vazhdimësinë", tha ai. Deputeti demokrat, Tritan Shehu, u ndal në rolin e madh të sistemit jopublik për zhvillimin e sistemit shëndetësor shqiptar. Ai nënvizoi se "krahas politikave liberalizuese të aplikuara në vend, të cilat kanë ulur vështirësitë burokratike, por dhe kanë minimizuar faktorët korruptivë e kanë nxitur burime financiare në vend, MSH po aplikon një sistem të tërë kontrolli për të ruajtuar standardet e për t'u larguar nga abuzivizimi". Me këtë rast, Shehu vlerësoi reagimin e shpejtë dhe të saktë të MSH në tendencën për të kontrolluar implementin e procedurës së abortit në sistemin privat, çka tregon efiçencën që kanë sot strukturat shëndetësore në elementë të kontrollit. /a.ke/
KOMENTE