English

FIFA, Anglisë dhe Meksikës: Na falni për gafat e arbitrave!

Gjenevë, 29 Qershor, NOA – Gola që mund të kishin ndikuar në rrjedhën e ndeshjeve dhe që tani mund të listonin të tjerë emra në renditjen e rivalëve për çerekfinalet e Botërorit të Afrikës së Jugut.

Të tillë ishin ata që u shënuan në fakt gjatë ndeshjeve mes Angli-Gjermani dhe Argjentinë-Meksikë, por që nuk u quajtën si të vlefshëm nga arbitrat përkatës.

E në emër të tyre, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka kërkuar falje publike ndaj ekipeve respektive të Anglisë dhe Meksikës për gabimet e arbitrave që ndikuan në rezultatin e ndeshjeve dhe eleminimin e tyre nga Botërori 2010.

Ai tha se zyrtarët do të rishqyrtonin mundësinë e përdorimit të teknologjisë me video për t’i ndihmuar arbitrat gjatë ndeshjeve.

Kështu, në ndeshjen Angli-Gjermani, arbitri nuk u dha anglezëve një gol kur rezultati ishte 2-1 për gjermanët, megjithëse pamjet e regjistruara treguan se topi e kishte kaluar shumë vijën fatale.

Ndërsa në ndeshjen Argjentinë-Meksikë, arbitri e quajti të rregullt golin e parë të shënuar nga Tevez, megjithëse përsëritja e aksionit që u pa nga të gjithë në stadium, tregoi se sulmuesi argjentinas ishte dukshëm në pozicion jashtë loje.

n.e/NOA

KOMENTE