English

EULEX: Listë e gjatë emrash nën hetim për krim e korrupsion

Prishtinë, 30 Qershor, NOA – Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, ka hartuar një listë të gjatë me emrat e personave që po hetohen nën dyshimin për korrupsion dhe krim të organizuar, madje edhe ka finalizuar planin e veprimit ndaj tyre.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar kryeprokurori i EULEX-it, Johanes Van Vrejsvijk, sipas të cilit, “do ta zbatojmë këtë listë në afatin kohor nga korriku i këtij viti deri në shtatorin e vitit të ardhshëm”.

Kjo listë ku ka persona që janë nën hetime, sipas tij, është shumë e gjatë, por ai s’pranoi të flasë për numrin e saktë dhe nivelin apo pozitat e zyrtarëve që po hetohen.

“Është një listë e gjatë, aty përfshihen hetimet në gjithë Kosovën, përfshirë edhe Mitrovicën. Një pjesë ka të bëjë me qeverinë, një tjetër me bizneset e tjera”, tha Vrejsvijk.

Duke e përjashtuar mundësinë që hetimet të godasin vetëm një parti politike, ai tha se thuajse të gjitha prej tyre kanë persona që gjenden nën hetime.

Mësohet prej tij se ky plan veprimi do të vijojë atë të bastisjeve të realizuara në qeveri dhe hetimet e ndërmarra ndaj ministrit të Transportit, Fatmir Limaj.

n.e/NOA

KOMENTE