English

Meta: Me Mosangazhimin Për Reformën Zgjedhore, Ps Synon Politikë Destruktive

TIRANE, 30 Qershor/ATSH- A.Gegvataj/ - "Vetë fakti që PS nuk angazhohet për reformën zgjedhore, e cila sipas partnerëve ndërkombëtarë do të japë një zgjidhje përfundimtare shqetësimeve lidhur me transparencën, tregon që synon një politikë bllokuese bojkotuese dhe destruktive", deklaroi sot zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta. I pyetur nga ATSH mbi konsensusin për miratimin e ligjeve, për të cilat duhen 84 vota, sikurse është ligji për gjykatën administrative, Meta tha se " ky konsensus duhej të jepej me kohë". "Mendoj se opozita nuk po jep konsensusin qeverisë për këtë cështje, por ajo e ka për detyrë, pasi këto janë çështje që kanë të bëjnë me vetë integrimin europian të vendit", nënvizoi Meta. Ai shtoi se "këto vota nuk janë të domosdoshme për funksionimin e qeverisë, pasi dihet që qeveria me 71 deputetë falë edhe ndryshimeve kushtetuese që u bënë me 21 prill 2008, është shumë solide për funksionimin e saj". Sipas ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, nga mungesa e angazhimit dhe kontributit të PS-së si dhe për reformën zgjedhore, dëmtohen proceset integruese dhe funksionimi i institucioneve. Duke theksuar se është interes i opozitës gjithmonë që të bëjë të kundërtën, që në këtë mënyrë të ndihet më e garantuar në hapësirat e saj për të shprehur pikëpamjet e veta dhe për t'i zhvilluar ato, Meta shtoi se "kjo lloj politike mendoj se është tepër dritëshkurtër, nuk e ndihmon aspak PS, që ka kontributet e saj në të kaluarën në proceset integruese të vëndit. Optimist megjithatë, Meta tha se "unë shpresoj se ata do të reflektojnë". Meta u ndal edhe tek qëndrimet e LSI-së për ndryshimet e rregullores së Kuvendit si dhe për dekretet e Presidentit. "Sipas nesh, e rëndësishme në mënyrë të veçantë është transparenca nga momenti që Presidenti si autoritet i vendit që ka ekskluzivitetin për të bërë propozimet përmes dekreteve, deri në momentin kur Parlamenti shprehet me votë", tha Meta. "Pra, të kemi një proces sa më transparent për opinionin publik, për kandidatët, aftësitë e tyre dhe në këtë drejtim, besoj se po ecet përpara në përsosjen e kësaj transparence, sepse ne jemi një demokraci e re", nënvizoi Meta./n.m/
KOMENTE