English

Opinion/ Jaka: Pertej Ngerçit Politik, Forcat Politike Të Miratojnë Ngritjen E Gjykatës Administrative

TIRANE 30 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka i bëri thirrje të mërkurën forcave politke në vend që përtej ngërcit të tyre të votojnë ngritjen e Gjykatës Administrative, në mënyrë që ti hapet rrugë biznesit për pasjen e strukturës së duhur ku mund të ankimohet dhe të gjejë zgjidhje në kohë reale. "Është rasti më i mirë që politika ta dëshmojë këtë për sipërmarrësit tanë", deklaroi Jaka në një intervistë për ATSH-në. Jaka tha se miratimi i ligjit për të krijuar Gjykatën Administrative është kthyer tashmë në maratonë. Sipas tij, realisht, Gjykata Administrative zgjidh shumë pengesa, që biznesit i dalin gjatë zhvillimit të aktivitetit. "Çdo vendim, urdhër apo përgjigje që jepet nga administratat shtetërore dhe nga institucionet e tjera që kane lidhje me biznesin, sot pa frikë mund ti trajtojmë si humbje kohe dhe energjish për biznesin", tha Jaka. "Po t'i referohemi praktikave dhe rasteve precedente, kemi rezultate negative për biznesin si dhe mungesë zgjidhjesh që janë kosto në kohë për sipërmarrjen. Ne jemi të bindur se miratimi dhe funksionimi sa më shpejt i Gjykatës Administrative do të sjellë efekte pozitive në mirë funksionimin dhe në eficiencën e aktivitetit të biznesit", tha ai. Lidhur me bojkotin e opozitës për miratimin e këtij p/ligji, Jaka shprehet se, koalicioni i Biznesit i përbërë nga 35 shoqata përfaqësuese të biznesit e ka ngritur me forcë zërin për miratimin sa më parë të kësaj strukture të domosdoshme për biznesin dhe gjatë kësaj periudhe ka lobuar fuqishëm dhe ka dalë në deklarata konkrete duke kërkuar miratimin e saj. "Por përtej kësaj, mendoj se është rasti më i mirë që ligjvënësit parlamentarë të miratojnë ngritjen e saj, duke dëshmuar kësisoj të vetmin hap të marrë në ndihmë të sipërmarrësve shqiptarë gjatë kësaj periudhe të prekur nga kriza globale", tha ai. Ai i bëri thirrje të gjitha forcave politike, që përtej ngërcit të tyre politik të votojnë ngritjen e Gjykatës Administrative, në mënyrë që ti hapet rrugë biznesit për pasjen e strukturës së duhur ku mund të ankimohet dhe të gjejë zgjidhje në kohë reale. Inisiativa për ngritjen e saj është të paktën 5-6 vjeçare. Ligji tashmë ndodhet në parlament dhe pret miratimin e tij./n.m/
KOMENTE