English

Rreth 1 Mijë Turistë Të Huaj Vizitojnë Qytetin E Sarandës

SARANDË, 30 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Rreth 1000 turistë të huaj, që ishin nisur nga porti i La Valetës (Maltë), kanë mbërritur mesditën e sotme në brigjet e Sarandës, me kruazerën "Kosta Alegra", me gjatësi 187 m, 26 m e gjerë, me një zhytje 8 m, me peshë rreth 30 mijë tonë. Për shkak të madhësisë së saj dhe pamundësisë për t'u ankoruar në port kruazera qëndroi pranë bregut. Drejtuesit e Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në, se për të zbarkuar sa më shpejt në tokë, për shkak të kohës së pakët të qëndrimit të tyre në Sarandë, turistëve perendimorë iu vu në dispozicion trageti "Kaliopi", që zbarkoi rreth 400 turistë, ndërsa pjesa tjetër zbriti në tokë përmes varkave të kruazerit. "Një numër i konsiderueshëm autobuzësh ka shërbyer për transportin e turistëve për në destinacionet e vizitave si në Butrintin antik, Syrin e Kaltër, Karahaxh, por edhe në Lëkurës dhe në pikat turistike të qytetit tonë", thanë burimet e mësipërme. Me turistët e huaj të ardhur ditën e sotme në qytetin jugor të Sarandës numri i tyre në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, ka arritur në afro 12 mijë vetë./s.s./
KOMENTE