English

Arrestohen 5 Persona Për Trafik Narkotikesh Nga Shqiperia Ne Greqi

TIRANE, 1 Korrik/ATSH/ - Pesë persona u arrestuan sot nga forcat e Policisë së Shtetit, pasi dyshohen se janë pjesë e një rrjeti të trafikut të narkotikëve nga Shqipëria në Greqi. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se, specialistët e Drejtorisë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Polici, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë dhe në kuadër të operacionit të koduar "Ëmbëlsira", arrestuan shtetasit: Aldjon Pirra, 32 vjeç, Afrim Muka, 38 vjeç, banues në Tiranë, Petrit Topi, 33 vjeç dhe Brahim Topi, 40 vjeç banues në Barbullinjë, Lushnjë, me akuzën e "trafikimit të narkotikëve" e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, në këtë operacion u arrestua shtetasja Enkelejda Topi, 35 vjeç, banuese në Barbullinjë Lushnjë, e cila do të hetohet me masën e sigurisë së "arresitit në shtëpi". Bëhet e ditur gjithashtu se, ky operacion që ka startuar që prej fillimit të vitit 2010, ka evidentuar gjithsej 5 raste të trafikimit të narkotikëve, janë arrestuar në qytete të ndryshme të vendit dhe 13 shtetas të tjerë. Gjithsej, deri në këtë fazë përmbyllëse të operacionit, numri i të arrestuarve arrin 18 persona, ndërsa është sekuestruar një sasi prej rreth 600 Kg lëndë narkotike e llojit Kanabis Sativa, destinacioni i të cilës ka qenë Greqia. Çështja ndaj tyre i kaloi për hetime të mëtejëshme Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë./ a.m//n.m/
KOMENTE