English

Blegtoria Nuk Kap Hapin E Industrise Përpunuese Të Qumeshtit, Pasojat Më Shumë Hapësira Për Import

TIRANE, 1 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Të gjendur në një treg ku e kanë të vështirë të sigurojnë mjaftueshëm lëndën e parë, por edhe të importojnë, përpunuesit në vend po përpiqen të shtojnë vlerën e prodhimit të qumeshtit. Sasia e qumështit që shkon për prodhimin e nënprodukteve të tij, është rritur dukshëm këto vitet e fundit. Sipas të dhënave të MBUMK, në pesë vitet e fundit nënproduktet e qumështit janë rritur 320% në sasi. Vetëm vitin që shkoi u prodhua rreth 2400 ton djathë i fortë. Në rritjen e këtij prodhimi ka ndikuar edhe shtimi i llojeve të nënprodukteve. Nëse pak vite më parë, pjesa më e madhe e qumështit të përpunuar shkonte për prodhimin e kosit dhe djathit të bardhë, përpunimi po ndahet mes shumë produktesh të bulmetit. Prodhimi i nënprodukteve të qumështit (2010) Liberalizimi i tregtisë me rajonin e Ballkanit, bëri që qumështi i importit veçanërisht nga këto tregje të zërë një peshë të madhe në treg. Sipas të dhënave të ministrisë së Bujqësisë, vitin që shkoi u importuan 7.54 mijë ton qumësht nga tregjet e huaja. Pas rritjes së theksuar të importit gjatë vitit 2009, niveli i importeve ka vazhduar të mbetet i lartë. Vitin që kaloi, sasia e importuar u rrit me 1%, ndërsa pritet të këtë vit të ketë një rritje më të madhe të importit. Ecuria e importit të qumështit Si në tregjet fqinje, edhe ato të Evropës Perëndimore, industria e përpunimit të qumështit është më e zhvilluar. Madje ekspertët e tregtisë vlerësojnë se ka një prodhim të lartë të qumështit në vendet e rajonit. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, tregjet nga ku importojmë qumësht janë zgjeruar në pesëvjeçarin e fundit. Në vitin 2009, sipas të dhënave të MBUMK, rreth 70% e importeve të këtij produkti realizoheshin nga katër tregje. Vitin që shkoi, vendet nga ku importuam qumështin ishin më të shumta dhe kryesonin importet nga tregjet e BE-së, Itali e Gjermani Importi i qumështit sipas vendeve Ndërsa industritë e përpunimit punojnë me gjysmën e kapaciteti, tregtia e qumështit në shishe 1.5 litërshe buzë rrugës vazhdon të mbetet një biznes që mban shumë familje të periferive. Sipas përfaqësuesve të shoqatës së Blegtorëve "Adama", niveli i këtij konsumi po bie, por mbetet ende problemi kryesor i tregut të qumështit. Sipas të dhënave të tregut (përpunim, prodhim dhe import), pesha e qumështit të pa trajtuar termikisht që tregtohej jashtë kushteve fito-sanitare ka rënë me gati 20% në treg për katër vite, por sipas ekspertëve të ministrisë së Bujqësisë, ajo vazhdon të ruajë një peshë të lartë në treg. Duke u bazuar tek vlera e prodhimit në tregut, qumështi i papërpunuar zë më pak se 40% të tregut. Por, nga ulja e kësaj tregtie, kanë përfituar si përpunuesit, edhe importuesit e qumështit. 2010: Do të importojmë më shumë "Nëse duam të rritemi në përpunim, këtë nuk mund ta bëjmë me prodhimin vendas", shprehet Drejtori i Marketingut të 'Ferlat', Altin Çela. Ai tregon se këtë vit, kompania e tij ka në plan të importojë qumësht të pasterizuar nga Maqedonia dhe të bëjë vetëm sterilizimin dhe paketimin e tij. Me importin ata planifikojnë të shfrytëzojnë rritjen e kërkesës për konsumin e bulmetit gjatë stinës së verës, veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas përpunuesve, në periudhën korrik-gusht kërkesa për qumësht dhe nënproduktet e tij rritet me 30%. Por, importet nuk pritet të ndalojnë këtu. Përfaqësuesit e 'Ferlat' shprehen se nëse importi do të rezultojë me interes do të vazhdojnë të ruajnë tregtinë me partnerin maqedonas. Pavarësisht rritjes së importeve, përpunuesit e qumështit tregojnë se ka pak interes për të importuar, pasi kostoja e importit është e lartë dhe jo të gjitha kompanitë kanë mjetet e përshtatshme të transportit. Sipas ekspertëve të tregtisë, nëse përpunuesit do të investonin në mjete transporti, prodhuesit e qumështit në vend do të "mbyteshin" nga importet. Si në Europë, edhe në Ballkan vlerësohet të ketë një suficit të prodhimit të qumështit dhe shumë prej këtyre vendeve po kërkojnë tregje të reja. Qumështi është një ndër tregjet me nivel të lartë të konsumit të brendshëm. Nga të dhënat e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), rezulton se rreth 6% e prodhimit eksportohet. Sipas këtyre të dhënave, sasia e qumështit që prodhohet në nivel botëror është mbi 710 milion ton. Çdo person në botë llogaritet të konsumojë mesatarisht 105 kg qumësht në vit, sipas të dhënave të FAO-s. Në dekadën e fundit, konsumi mesatar i qumështit është rritur 15% Sipas studimeve të tregut në vendet e zhvilluara konsumohet rreth 250 kg qumësht për frymë në vit, ndërsa në vendet në zhvillim niveli i konsumit është gati 4 herë më i ulët, 67 kg për frymë në vit./s.s./
KOMENTE