English

Kuvendi Miraton Disa Ligje Të Rëndësishme

TIRANË, 1 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi miratoi sot pasdite vetëm me votat e maxhorencës tre ligje të rëndësishme të fushës ekonomike, drejtesisë dhe mbrojtjes. Në seancë u miratua p/ligji "Për inspektimin financiar publik", për të cilin opozita kërkoi rikthimin për shqyrtim në komision, gjë që u kundërshtua nga maxhoranca. Duke mbrojtur këtë nismë ligjore, ministri i Financave, Ridvan Bode nënvizoi se, krahas rritjes së përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike, ky draft është një hap i rëndësishëm në reformat e Qeverisë kundër korrupsionit dhe njëkohësisht plotëson detyrimet që rrjedhin nga dokumentet strategjike të proceseve integruese. Ai vuri në dukje se projektligji bën një ndarje të qartë mes inspektimit dhe auditimit, garanton konstatimin në kohë të rasteve të abuzimit me fondet publike dhe është në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe veçanërisht me ligjet organike në fuqi, si dhe me direktivat e Bashkimit Europian. Në diskutimin mbi projektligjin "Për faljen", Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani tha se, ky projekt vjen si nevojë e rinovimit të ligjit aktual, i cili është tashmë i vjetëruar dhe i papërshtatshëm për rrethanat dhe kërkesat e kohës. Sipas tij, "Institucioni i vetëm që mund të ofrojë informacionin e saktë për personat e dënuar është Ministria e Drejtësisë dhe pikërisht për këtë arsye është institucioni pranë të cilit duhet të depozitohen kërkesat për falje". Më tej ministri Nishani tha se, "ridimensionimi i kontributit human i institucionit të faljes dhe përgatitjes së integrimit në shoqëri të çdo individi të dënuar duhet të përbëjnë arsye të mjaftueshme për të votuar pro këtij projektligji". Seanca plenare vijoi me shqyrtimin e projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për përcaktimin e poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë". Duke iu përgjigjur pretendimeve të ngritura nga përfaqësues të opozitës se ndërtimi i poligoneve sjell përfitime në nivel kombëtar, por jo në nivel komunitar, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami tha se, për ndërtimin e poligoneve përveç aspektit të sigurisë, është marrë parasysh edhe aspekti mjedisor e turistik, ndërsa ushtria ka dhënë kontribut për komunitetin duke ndërtuar vepra infrastrukturore që do të jenë në përdorim të ushtrisë dhe komunitetit. Në përfundim të seancës që zgjati rreth 6 orë, Kuvendi miratoi me shumicë votash projektligjet e mësiperme, si dhe "ratifikimin e Konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin". /a.m//n.m/
KOMENTE