English

Patos Marinza-Mediu: Ndërhyrje E Menjëhershme Për Rehabilitimin Mjedisor Të Zonës

TIRANË, 1 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave do të vendosë kushte, të detyruara për t'u respektuar në bazë të marrëdhënieve dhe kontratave që kanë kompanitë në zonat naftëmbajtëse, por edhe të detyrimeve për rehabilitimin e mjedisit, sidomos ndalimin e ndotjes së mëtejshme mjedisore, u shpreh sot ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu. Në takimin mbi Planin e Veprimit për Rehabilitimin Mjedisor të kësaj zone, mbajtur në Hotel 'Sheraton', Mediu e vlerësoi këtë çështje imediate, duke theksuar se kushtet mjedisore duhet të jenë të matshme për çdo operator. Po kështu, sipas tij, duhet të përfshihet dhe monitorimi për çdo kompani në bazë të kërkesave që ka ligji dhe në këtë nuk do të ketë dallim. Duke u ndalur në zonën e Patos-Marinzës, Mediu tha se industria e naftës në zonë nuk është menaxhuar sipas standardeve mjedisore, duke e renditur zonën përkrah rrjetit të vatrave të nxehta mjedisore (hot spote) që kanë nevojë për ndërhyrje dhe rehabilitim. Ai u ndal në problemet e akumuara në vite në zonë, çka kërkon angazhim serioz për të ndikuar në programe të qarta të integruara për zgjidhjen e problemeve që ka ky vendburim nafte. "MMPAU e konsideron këtë zonë si një hot spote-t më të mëdha që ka Shqipëria dhe do të vazhdojë të ngrejë këtë çështje me shqetësimin më të madh dhe do t'i kërkojë të gjithë aktorëve për të gjetur rrugët për të punuar së bashku në mënyrë të integruar për rehabilitimin mjedisor të zonës", u shpreh Mediu. Në këtë kontekst, ai vlerësoi shqetësimin e Bankers Petrolium, kompani që operon në zonë, për të punuar me ndërhyrje dhe planifikime për investime në fushën mjedisore. Mediu u kërkoi të gjitha kompanive që operojnë në zonën e Patos Marinzës dhe vendburime të tjera naftëmbajtëse në vend, për të punuar së bashku që ky fenomen të marrë fund. Ai vuri në dukje investimet e bëra nga Bankers Petrolium në zonë, që kanë filluar të japin shenjat e para pozitive të rehabilitimit mjedisor, duke bërë me dije se do të investohen dhe 10 milionë dollarë të tjerë për rehabilitimin mjedisor të zonës. Mediu shprehu vendosmërinë e Qeverisë për të punuar me të gjithë kompanitë për rehabilitimin e zonës Patos-Marinëz për të rritur mundësitë ekonomike të zonës, për të zgjidhur problemet sociale në të e për të parë si element primar çështjet mjedisore. Ilir Ciko, drejtor i Kabinetit të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, u ndal në objektivin kryesor të METE, atë të mbështetjes së projekteve energjetike në vend, në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, ku zona e Patos-Marinzës është një ndër qendrat kryesore. Ai shprehu mbështetjen e METE ndaj investimeve dhe projekteve për mbrojtjen mjedisore. Plani i Veprimit Mjedisor dhe Shëndetësor në Patos Marinzë, që u prezantua në takim, ka për qëllim ndërhyrjen e integruar për rehabilitimin dhe përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe shëndetit të banorëve. Ndërhyrjet e përcaktuara në Plan konsistojnë në tre shtylla kryesore; veprimi i industrisë për shmangien dhe reduktimin e ndotjes, ndërhyrjet mjedisore, që synojnë ndërprerjen e transferimit te ndotjes ne receptoret mjedisore dhe masa shëndetësore, që synojnë shmangien dhe kontrrollin e ndikimeve negative ne shendetin e banoreve te zones /s.s./
KOMENTE