English

Sport-Basketboll/ Kombëtarja Nis Sot Përgatitjet Për Evropianin

TIRANË, 1 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Kombëtarja e femrave në basketboll nisi sot në qytetin e Vlorës fazën e saj përgatitore, në prag të eliminatoreve të kampionatit europian. Shqipëria, që drejtohet nga trajneri Viron Toska, ndodhet në grupin B, Divizioni B, së bashku me Estoninë, Zvicrën, Luksemburgun dhe Bosnjë Hercegovinën. Më 1 gusht do të luhet ndeshja e parë zyrtare, në Estoni. Trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përcaktuar një listë me 16 basketbolliste, që do të jenë në grumbullimin vlonjat. Më 11-12 qershor, trajnerët e kombëtares së femrave në basketboll, Toska e Mitku, zhvilluan një mini-fazë përgatitore në kryeqytet, ku testuan 24 lojtare. Më pas, ata vendosën që në fazën përgatitore, që do të zhvillohet në Vlorë, të jenë 16 lojtare, që vijnë kryesisht nga Flamurtari (9 basketbolliste), Tirana e Studenti, si dhe Dorina Mehmeti, që sezonin e fundit luajti me Apoloninë. Kjo e fundit, ndryshe nga koleget e saj të Apolonisë, pranoi të jetë në kombëtare (nuk u paraqitën Enisa Semanjaku, Ina Varfi dhe Brunilda Komti). Faza përgatitore që nisi sot do të zgjasë deri në 31 korrik, por ditët e fundit pritet që ekipi të transferohet në kryeqytet, pasi ndeshjet do të luhen në Tiranë. Federata Shqiptare e Basketbollit ka konfirmuar se është shumë pranë arritjes së një marrëveshje me Federatën Turke të Basketbollit, për zhvillimin e një faze përgatitore 10-ditore në Turqi. Sipas një plani paraprak, nga 15-25 korrik, të dyja skuadrat kombëtare shqiptare në basketboll, që do të luajnë në eliminatoret e europianit, do të jenë në Stamboll, për të zhvilluar një turne të vogël, ku parashikohen edhe ndeshje miqësore me kombëtaret turke. Federata Turke ka konfirmuar praninë e Shqipërisë në Stambolll në mes të korrikut dhe zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Paralelisht me femrat, edhe kombëtarja e meshkujve do të marrë pjesë në eliminatoret e kampionatit europian të basketbollit, grupi B, Divizioni B. Kombëtarja shqiptare drejtohet nga amerikani Mark Dikel, ndërkohë që rivalë të kuqezinjve janë Suedia, Bjellorusia, Rumania dhe Azerbajxhani. Kombëtarja e meshkujve ka rreth 20 ditë që po zhvillon një kamp-stërvitor në kryeqytet, në sallën sportive "Fahrie Hoti" në kryeqytet. Të pranishëm mbi 15 lojtarë kandidatë të kombëtares, që militojnë në kampionatin shqiptar të basketbollit. Ndeshjet e kombëtares së meshkujve në basketboll do të nisin më 8 gusht, ndërkohë që ende nuk ka një listë përfundimtare, pasi faza përgatitore që po kryhet në kryeqytet do të vijojë deri më 10 korrik. Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur që ndeshjet eliminatore të ekipeve kombëtare shqiptare në kampionatin europian të luhen të gjitha në Tiranë. As Korça (meshkujt) dhe as Vlora (femrat), siç ishte caktuar në fillim, nuk do të presin ndeshjet e ekipeve tona kombëtare. Kjo, pasi këto dy qytete nuk kanë një parket të përshtatshëm dhe modern, gjë që sot e garanton vetëm pallati i sportit "Asllan Rusi" në kryeqytet. Muajin e fundit, Federata Shqiptare e Basketbollit ka bërë të mundur instalimin e një parketi të ri dhe modern në sallën qëndrore të "Asllan Rusit", sipas standardeve të FIBA-s. Gjithashtu, do të instalohen edhe pajisjet e reja elektronike, të cilat do të garantojnë zhvillimin normal të ndeshjeve të basketbollit./s.s./
KOMENTE
  • Agron Previzi korab22:30 - 06 Janar 2011
    Pse qeveria shqiptare nuk po e jep kujdesin e saj per kete fushe sportive.Djali ime i lindur ne Amerike,kur shikoje stadjumin ku stervitej ekipi Tirana me tha pse kaqe i varfer ky stadjum , kure gjithe tirana eshte e bukur